
Igli Tare rrezikon të jetë një prej “viktimave” të ecurisë me shumë ulje dhe ngritje të Lacios gjatë këtij sezoni.
Bardhekaltrit kanë pasur mjaft probleme me kontratat e lojtarëve dhe rinovimet e elementëve kyç dhe sipas të përditshmes italiane, “Gazzetta Dello Sport”, klubi po mendon të rikthejë Valter Sabatinin.
Pas një viti të kaluar te Palermo, ish-drejtori sportiv është pranë rikthimit në Formelo, sepse presidenti Klaudio Lotito kërkon të hedhë bazat për sezonin e ri.
Kjo “manovër” e numrit 1 të “shqiponjave” vjen në kohën kur e ardhmja e trajnerit Delio Rosi dhe e disa lojtarëve (duke përfshirë këtu Mauro Zaraten, Kristian Ledezmën dhe Goran Pandev) është në dyshim. Sabatini është njeriu që në vitin 2007 arriti të zgjidhte me sukses problemet ndërmjet skuadrës dhe drejtuesve.
Sipas gazetës më të madhe sportive përtej Adriatikut, Igli Tare bëri maksimumin në detyrën si drejtor sportiv i Lacios, por u pa qartë se ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk e kishte eksperiencën e nevojshme për t’u përballur me situatat e krijuara. Hija e Sabatinit vjen pikërisht në kohën kur 35-vjeçari është shndërruar në heroin e tifozerisë, pas debatit të ashpër me trajnerin e Romës, Luçiano Spaleti.
Top Channel