
Java e 28-të e Kategorisë Superiore konfirmoi luftën e fortë që ekziston në elitën e futbollit në vend. Tirana kryesuese nuk arriti të fitonte më shumë se 1 pikë në derbin me Partizanin, që rrezikon rënien nga kategoria.
Ndërsa pak kilometra larg kryeqytetit, Vllaznia humbi në fushën e Teutës, duke kompromentuar shanset për titull. Donatori bardheblu, Refik Halili, që ka drejtimin e skuadrës gjatë këtij sezoni, e justifikoi paraqitjen jo shumë bindëse të skuadrës, duke thënë se ndeshjet që sapo kaluan janë treguesi më i qartë se tashmë në kampionat nuk ka më diferenca.
Ai doli në krah të të tijve, pavarësisht faktit se lojtarët nuk iu përgjigjën si duhet skemës ofensive të përdorur nga trajneri Agustin Kola. Në shumë raste ata rrezikuan përballë kundërsulmit të të kuqve, madje mund të kishin dalë pa pikë në “Qemal Stafa”.
“Mendoj se në këtë pikë të kampionatit nuk ka më diferenca në fushën e lojës. Të gjithë janë të barabartë dhe luftojnë për të fituar”, deklaroi Halili. “Kjo u pa edhe në derbin ndërmjet Tiranës dhe Partizanit, që përfundoi 2-2. Edhe pse në fushë zbritën dy skuadra me objektiva të ndryshëm, siç e pamë të gjithë nuk kishte shumë ndryshime”.
Kjo është edhe një mënyrë e donatorit të 23 herë kampionëve, për t’i kërkuar kujdes maksimal të tijve në javët e mbetura. Halili nuk ka harruar as të theksojë faktin se lufta në të gjitha nivelet e ka zbukuruar kampionatin, duke rezervuar emocione deri në fërshëllimën finale të edicionit.
“Të gjitha skuadrat luajnë njësoj. Kur zbresin në fushën e lojës askush nuk mendon për vendin që ka në klasifikim kundërshtari, por kërkon vetëm fitoren, shtoi drejtuesi i klubit bardheblu. Fundjava që sapo lamë pas tregoi se në Kategorinë Superiore ka luftë të vërtetë, si nga ekipet që pretendojnë titullin, ashtu edhe nga ato që kërkojnë mbijetesën mes më të mirëve. Mund të them se kampionati ka hyrë në një fazë mjaft interesante. Por, më i rëndësishëm është fakti se këto lloj sfidash, ku nuk mund të flasim më për kundërshtarë të fortë dhe të dobët, e kanë bërë garën edhe më të bukur”.
Në këto momente, gjëja më e rëndësishme për Tiranën është të ruhet avantazhi me një pikë nga Vllaznia e vendit të dytë. Nëse në ndeshjet e mbetura situata nuk ndryshon, gjithçka do të vendoset në javën e fundit të kampionatit, kur dy pretendentet për titull do të luajnë në përballjen direkte. Por, bardheblutë mund të kenë avantazhin se luajnë për dy rezultate: fitoren dhe barazimin.
“Jam shumë i kënaqur, pasi me pikën e marrë në derbin me Partizanin vazhdojmë të jemi në krye të klasifikimit”, përfundoi Halili.
Top Channel