Elvir Muriqi hakmerret ndaj Garashenkos

20/04/2009 09:00

Elvir Muriqi ka fituar në duelin kryesor të turneut të boksit “Kosova Fight Night”, i zhvilluar në mbrëmjen e së shtunës në Prishtinë.

Kosovari mposhti në dhjetë raunde rusin me nënshtetësi ukrainase, Oleksandr Garashenko me pikë, pas vendimit unanim të tre gjyqtarëve të sfidës.

“Kosovo Kid” ishte dukshëm superior ndaj kundërshtarit, duke dominuar deri në sekondat e fundit. Edhe pse u përball me grushtet e fuqishëm të 29-vjeçarit, ukrainasi provokues arriti të qëndronte në këmbë deri në fund. Në këtë mënyrë, Muriqi hakmerret ndaj Garashenkos, për humbjen që ai i kishte shkaktuar në vitin 2005. “I përshëndes të gjithë, jam krenar që jam shqiptar. Ju premtoj se do t’i mund me radhë të gjithë kundërshtarët, ndaj të cilëve kam pësuar humbje të padrejtë, siç mposhta edhe Garashenkon. Do të luftoj deri në fund, jam krenar që jam i juaji”, u shpreh Muriqi pas meçit.

Para kësaj përballjeje, janë zhvilluar edhe katër duele të tjera. Boksieri nga Peja, Shpëtim Shala, fitoi titullin e kampionit të Austrisë në kategorinë gjysmë të rëndë, pasi fitoi kundër gjermanit Lars Buholc.

Në përfundim të dhjetë raundeve, vendimi i tre gjyqtarëve ishte në favor të kosovarit (97:94, 98:94 dhe 97:93). “E prisja këtë fitore, pasi nuk doja të zhgënjeja publikun, i cili më dha një shtytje të madhe drejt triumfit. Më duhet të pranoj se isha nën presion për të fituar, edhe sepse ky është titulli im i parë në karrierë”, u shpreh Shala.

Edhe ndeshja ndërmjet boksierit shqiptar nga Maqedonia, Sefer Seferi dhe atij kroat, Ivica Çukushiç, i vlefshëm për kategorinë deri në 90 kg (kruzer) ishte mjaft interesante. Seferit i mjaftuan më pak se gjashtë minuta për të hedhur në tapet kundërshtarin e tij.

Gjithsesi, kroati u ngrit në këmbë në raundin e dytë, duke vazhduar betejën. Por, qëndrimi i tij në ring nuk zgjati shumë: Çukushiç u dorëzua në të pestin. Përveç boksit, organizatorët kishin menduar edhe zhvillimin e një ndeshjeje Thai-box. Në këtë duel, shqiptari 19-vjeçar, Besnik Limani, triumfoi ndaj hungarezit Gabor Toth me vendim unanim.

Të ardhurat nga shitja e biletave të këtij turneu, të organizuar nga Federata Kosovare e Boksit, Federata Austriake e Boksit dhe klubi i boksit “Peja”, do të jepen për fëmijët jetimë në Kosovë.

Top Channel