Presidenti Duka, mbledhje me gjyqtarët

15/04/2009 09:55

Tashmë që kampionati ka hyrë në fazën më të “nxehtë”, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një takim me gjyqtarët.

I pranishëm ka qenë edhe drejtuesi më i lartë i “qeverisë” së futbollit, Armand Duka. Ai u kërkoi “xhaketave të zeza”, që të tregohen të kujdesshëm në këto javë të mbetura të sezonit, duke zbatuar me përpikmëri rregulloren.

Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, Duka i ka parashtruar gjyqtarëve “ferrin” me të cilin do të përballen deri në fund të sezonit. Sipas burimeve të mirinformuara, që ndodheshin në takim, ai u tha “bilbilave”: “Kujdes nga ndeshjet e mbetura të kampionatit.

Ai që nuk është në gjendje ta durojë presionin, më mirë të largohet vetë. Në këto javë të fundit gabimet teknike duhet të minimizohen, për të mos ndikuar në rezultat”. Me këtë “manovër” synohet që në fund të ndeshjeve, asnjë nga klubet të mos ankohet se 90 minutat u përcaktuan nga gjyqtari.

Kërkesa ka ardhur në një periudhë, kur në Kategorinë Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë, çdo rezultat mund të ndikojë në objektivat sezonalë. Gara më e fortë është pa dyshim ajo në elitën e futbollit në vend, ku Tirana dhe Vllaznia luftojnë për titull, Shkumbini, Teuta e Besa kërkojnë “biletën” e fundit evropiane, ndërsa shtatë skuadra rrezikojnë të bien nga kategoria.

Top Channel