Spaleti-Tare, debat me njeri-tjetrin

14/04/2009 08:55

Igli Tare ka jo më shumë se një vit, që ka varur këpucët në gozhdë, për të kaluar prapa skrivanisë si drejtor sportiv i Lacios.

Por rastet që kanë bërë më shumë zhurmë në lidhje me punën e tij të re, kanë qenë dy: shuplaka për Zaraten dhe sherri i të shtunës së kaluar me trajnerin e Romës, Luciano Spaleti.

Nëse e para u mbyll shumë shpejt, kjo e fundit bëri jehonë edhe për vetë faktin se të dy, si Tare dhe Spaleti, u ndëshkuan me karton të kuq nga gjyqtari Morganti, që ishte aty pranë. E gjithë kjo për shkak të një gishti. Për atë gisht, që shqiptari ia drejtoi para fytyrës trajnerit të Romës në pushimin mes dy pjesëve.

Një gisht kërcënues (pretendon pala kundërshtare), i cili i dha zjarr një përplasjeje. “Çfarë halli ke, atë gisht fute…”, kështu i tha Spaleti Tares, i cili kundërpërgjigjet. Sipas shtypit italian në atë tunel të dy drejtuesit u kapën me duar, u shtyjnë me njëri-tjetrin, nuk munguan as kërcënimet. Pas pak minutash u neutralizua gjithçka. Arbitri Morganti i pa të gjitha dhe i përjashtoi të dy. Pjesa e dytë filloi pa ata. E pse duhej të ndodhte e gjitha kjo? Spaleti në pushimin e ndeshjes ka shkuar te gjyqtari për t’i kërkuar një shpjegim për mosdhënien e një penalltie (në faullin e Lihtshtajner ndaj Baptistës).

“Të kujtohet, vitin e kaluar ke dhënë një të njëjtë për Lacion: Juan mbajti për bluze Biankin. Pse ky ndryshim?”, pyet Spaleti Morgantin. Në këtë moment, ka ndërhyrë drejtuesi i Lacios, Tare, me atë gisht të famshëm.

“Je jokorrekt, mos ushtro presion mbi gjyqtarin”, ishin fjalët e shqiptarit. Pas një “përleshjeje” me duar aspak të pëlqyeshme për t’u parë, ata janë ndarë dhe situata është normalizuar. Dhe më pas Spaleti do të thoshte: “Bëri mirë Morganti që na përjashtoi”.

Në fund të ndeshjes ka një ballafaqim para telekamerave të “Sky”, ku dhanë versionet e tyre. Spaleti: “Tares i dhashë dorën para të pranishmëve”. Tare: “Të dhashë dorën dhe të thashë, mister ta mbyllim këtu. Më dhe dorën dhe fillove të flasësh përsëri për çështjen e gishtit”. Sërish trajneri i Romës: “Erdhe ti me gishtin e ngritur, nga 20 metra, kërcënueshëm, dhe të thashë ta fusje në një vend tjetër”. Dialogu ka vazhduar gjatë dhe në fund të dy kanë pranuar se të gjitha gjëra ndodhin në futboll, por do ishte me mirë të ishte shmangur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA