Menaxherët e Bundesligës “pushtojnë” Tiranën

28/03/2009 09:20

Menaxherët e huaj “pushtojnë” Tiranën, në prag të sfidës që Shqipëria e drejtuar nga Ari Han do të luajë me Hungarinë.

Afro 20 përfaqësues të klubeve të ndryshme evropiane kanë kërkuar akreditime në Federatën Shqiptare të Futbollit, për të ndjekur futbollistët kuqezi në aksion.

Ajo që bie më shumë në sy është prezenca e madhe e “skautëve” nga kampionati gjerman, një pjesë e të cilëve punojnë për ekipe prestigjioze të Bundesligës. Sipas burimeve pranë Kombëtares, dueli në “Qemal Stafa” do të vëzhgohet nga një menaxher i Bajernit të Mynihut.

Gjigandët bavarezë janë lidhur prej kohësh me të ardhmen e zv/kapitenit Lorik Cana. Nga ana e tij, 25-vjeçari ka deklaruar publikisht se nëse largohet nga francezët e Olimpikut të Marsejës, synon ta vazhdojë karrierën në elitën e futbollit gjerman, ose në Premiershipin anglez. Megjithatë, nuk mund të cilësohen si më pak të rëndësishëm përfaqësuesit e Këlnit apo edhe të Hamburgut.

Përveç mesfushorit Lorik Cana, janë të shumtë edhe lojtarët e tjerë, të cilët do të jenë nën vëzhgim. Kur mungojnë afro dy muaj nga mbyllja e sezonit, një pjesë e konsiderueshme e kuqezinjve mund të ndryshojë skuadër. I pari në listë është Hamdi Salihi, i cili në mbrëmjen e sotme do të aktivizohet si sulmues i vetëm.

Përveçse të tregojë se e meriton besimin e dhënë nga stafi teknik, paraqitja në këtë ndeshje mund të vendosë të ardhmen e shkodranit, që aktualisht militon me Ried në Austri.

Salihi ndiqet nga shumë skuadra: çekët e Slavias së Pragës ishin më të fundit që u shfaqën të interesuar, ndërsa gjatë merkatos së janarit në garë për shërbimet e 25-vjeçarit ishin edhe turqit e Bursaspor, ndërsa pas tyre janë hedhur edhe hipotezat për transferime të mundshme te qipriotët e Apollon Limason dhe Austria e Vjenës. Edhe pse nuk është konfirmuar asnjëherë, duket se lojtari ka qenë në fokusin e Udinezes në Serinë A. Hungaria është “bileta” e Salihit për kalimin në një klub më të madh.

Syve të menaxherëve nuk mund t’i shpëtojnë as të zakonshmit Debatik Curri dhe Armend Dallku. Këlni është skuadra më e fundit, e cila interesohet për dy mbrojtësit kosovarë, ndërkohë që më parë oferta për ta ka pasur nga Anglia, Franca, Ukraina, Rusia, Rumania apo edhe Turqia.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta