
Kadri Xhulaj ka shansin që sot në mbrëmje të fitojë trofeun e tij të parë në ringun profesionist.
Boksieri i lindur në Fier, që prej disa vitesh jeton dhe stërvitet në Itali, do të ngjitet në ringun e Romës, për të dueluar me italianin Xhanluka Çima, në finalen e Kupës së Italisë për peshën “crusiser”.
Sfida ishte planifikuar të zhvillohej në fund të vitit 2008, por për arsye teknike organizatorët vendosën ta shtyjnë.
Përballja me tetë raunde, e cila do të zhvillohet në “Palazzetto Polivalente dell’Acqua Acetosa”, është pjesë e një mbrëmjeje gala, në të cilën do të përcaktohet edhe kampionin italian të peshave të lehta ndërmjet Paskuale di Silvios dhe Simone Kalifanos.
25-vjeçari Xhulaj, i cili cilësohet si një prej boksierëve profesionistë më shpresëdhënës të vendit tonë, deri më tani ka katër fi tore (tre prej të cilave me K.O.) dhe vetëm një humbje me pikë. Ndërkohë, kundërshtari i tij, është një emër mjaft i njohur përtej Adriatikut në ringun e boksit amator.
Edhe pse në moshën 29-vjeçare, Çima ka debutuar vetëm tetë muaj më parë si profesionist, duke fituar sfidën me “knoc-out” teknik në raundin e parë. Rreth duelit me Xhulajn, boksieri italian deklaroi: “Ndihem mirë fizikisht, edhe sepse përgatitjet kanë ecur pa probleme. Xhulajn e njoh vetëm si emër. Kam parë disa fragmente të dueleve të tij në internet, por asnjëherë ndonjë duel të tij. Sipas informacioneve, di që ka një goditje të fuqishme dhe nuk do të jetë një përballje e lehtë. Gjithsesi kam besim te forcat e mia dhe me siguri që do të jetë një duel interesant”.
Top Channel