Kobi Brajant: I dashur Bekham, qëndro te Milani

26/02/2009 09:00

Bekham nuk dëshiron që ndeshja ndaj Verderit të jetë e fundit e tij në Kupën UEFA me bluzën e Milanit.

 Tratativa për blerjen e tij përfundimtare nga skuadra e Los Angelos Galaksit vazhdon. Ndërkohë që edhe nga Amerika vijnë zëra që i sugjerojnë Bekhamit të mos kthehet më në “tokën e premtuar”. Gjatë kësaj kohe anglezit i vjen një këshillë nga miku i tij, Kobi Brajant, ylli i basketbollit në NBA, në radhët e skuadrës së Los Anxhelos Lejkërs. “Devidit do t’i këshilloja të qëndronte te Milan”, ka nënvizuar Brajant.

Me gjithë situatën jo të mirë mes Milanit dhe Los Anxhelos Galaksit, në lidhje me tratativat për Bekhamin, ka nga ata që mendojnë se presidenti Tim Leiuiki po mendon ta lërë anglezin të ikë. Dhe kështu, sikurse bën të ditur “Los Anxhelos Times”, pak ditë para mbylljes së tratativave (skadenca më 9 mars), në SHBA askush nuk beson më për një rikthim të tij.

Prandaj drejtuesit e Galaksit kanë filluar të numërojnë humbjet e përfitimeve pas lamtumirës së tij. Me “Becks” në fushë skuadra e Los Anxhelos Galaksi ka pasur çdo ndeshje 10 mijë spektatorë, më shumë se çdo klub tjetër i “Major League” (Kampionatit Amerikan), duke mbushur kështu thuajse çdo stadium. Por humbjet e përfitimeve nuk përfundojnë këtu: Galaksi, që nga ardhja e anglezit në Kaliforni, ka shitur më shumë se 600 mijë bluza me nga 80 dollarë copën.

Por ai që ka fituar, nuk ka qenë vetëm klubi: mjafton që të mendosh se telespektatorët e televizionit të “Majaor League” janë rritur me 67% në 2007-ën dhe me 22% në 2008-ën. Me gjithë këto, drejtuesit e klubit, sikurse shkruajnë gazetat amerikane, kanë vendosur ta lënë të largohet, edhe pse me fjalë shprehen se duan ta mbajnë. Në fakt ata janë koshientë se është shumë e vështirë që ai të qëndrojë. Milani po lufton fort dhe anglezi ka thënë tashmë se dëshiron të mos ikë nga kuqezinjtë. Prandaj, nëse në Los Anxhelos po numërojnë humbjet e përfitimeve që do të vinin pas largimit të tij, në Milano fillojnë të buzëqeshin. Sidomos pas një tubimi të një turme të madhe, që është mbledhur në qendër të Milanos në mbështetje të qëndrimit të tij, tashmë “efekti Bekham” është i qartë për të gjithë.

Top Channel