Apolonia e Bylis, nga një ndeshje pa tifozë

26/02/2009 08:20

Apolonia dhe Bylisi janë dy viktimat e radhës së Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, i cili ka analizuar dje parregullsitë e hasura në javën e 21-të në kampionatin shqiptar.

Të dyja këto skuadra do të duhet të luajnë një ndeshje në shtëpi pa shikues, në Kategorinë Superiore. Shkak për marrjen e këtyre vendimeve është bërë mosmarrja e masave të duhura nga ana e dy klubeve për mbarëvajtjen e ndeshjeve përkatëse të javës së 21-të të sezonit.

Klubi i Bylisit u ndëshkua edhe me një gjobë prej 100 mijë lekësh, për mosmarrje të masave të mjaftueshme të sigurisë në stadium, para dhe gjatë ndeshjes, ku në ndeshjen kundër Teutës (të fituar nga ballshiotët 2-0) u godit me një send të fortë (çakmak) trajneri Sulejman Starova.

Edhe Apolonia për mosmarrje të masave të mjaftueshme të sigurisë në stadium dhe hedhjen në fushën e lojës të sendeve të forta në ndeshjen kundër Shkumbinit (0-1) në “Loni Papuçiu” në javën e 21-të të Superligës, u ndëshkua me 100 mijë lekë gjobë. Ndërkohë që Komisioni i Disiplinës ka dhënë edhe disa vendime në lidhje me problemet e regjistruara në kategoritë inferiore.

Top Channel