Amerika kthehet në Formula 1

26/02/2009 08:45

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kthehen zyrtarisht në Formula 1. Krijimi i skuadrës “made in Usa” është bërë publik në Karolinën e Veriut.

Ajo quhet USF1 dhe pritet të zbresë në pistë që prej Botërorit 2010. Objektivi është që Amerikës t’i rikthehet pasioni për këtë sport, i cili është mes më të ndjekurve në botë.

Ken Anderson, njëri prej dy aksionerëve të skuderisë së re (tjetri është Pitër Uindsor), u shpreh i sigurt se ky projekt do të jetë i suksesshëm. “Amerika ka infrastrukturën më të mirë dhe ka më shumë tifozë se çdo vend tjetër i planetit”, deklaroi ai.

Anderson e njeh mjaft mirë ambientin, edhe sepse në të kaluarën ka punuar te Ferrari dhe Uilliams. Krerët e skuadrës përtej Atlantikut bënë të ditur se do të fillojnë bisedimet me të gjithë konstruktorët aktualë në Formula 1, për të gjetur një furnizues motorësh.

Në prezantimin zyrtar të USF1 nuk është fshehur as dëshira që të paktën njëri prej pilotëve të jetë amerikan. Gjithsesi, në fillim të kësaj aventure ata u pajtuan me faktin se marka e motorëve, e cila do të përdoret, nuk do të jetë nga SHBA. Anderson konfirmoi se është i hapur që të bisedojë me secilin nga pesë prodhuesit e cirkuitit. “Do t’ua dërgojmë propozimet tona të gjithë konstruktorëve në Formula 1, në mënyrë që ata ta kenë të qartë se ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve”, tha ai për televizionin “Speed”. Anderson beson se për furnizimin e skuderisë amerikane duhet të jenë të interesuara të gjitha markat prodhuese, për shkak se SHBA-të janë një prej tregjeve më të rëndësishëm në industrinë e makinave. “Për të gjitha markat që garojnë aktualisht në këtë sport (Formula 1), tregu amerikan është më i madhi, shtoi drejtuesi i USF1. Këtu përjashtim bën vetëm Renaulti, por edhe ata mund të jenë të interesuar, duke qenë se bashkëpunojnë me Nisanin”.

Projekti ka lindur në një moment recensioni ekonomik, por bashkëthemeluesit janë të bindur se metoda e tyre e punës do të jetë efikase. Ata mendojnë se mund të çajnë në F1 me teknologjinë me kosto të efektshme, sponsorizimet dhe pagesat e ulëta për punonjësit. Entuziast për këtë “new-entry” është shprehur edhe padroni i Formula 1, Berni Ekleston, që falë USF1 shpreson të rikthejë Çmimin e Madh të Indianapolisit (në të cilin nuk garohet prej dy vjetësh) në kalendarin e Botërorit. Detajet rreth financimeve të skuadrës së re ende nuk janë bërë publike, sepse as Anderson dhe as Uindsor nuk kanë preferuar të japin shpjegime. Gjithsesi, ata saktësuan se do të mbështeten te një buxhet fillestar prej 62 milionë dollarësh (afro 50 milionë euro).

Me pikëpyetje janë edhe emrat e pilotëve që do të garojnë për USF1. Kandidaturat më të mundshme janë ato të amerikanëve Skot Spid, Kajl Bush (pilot i garave NASCAR) dhe Marko Andreti. Një tjetër alternativë që kurrsesi nuk mund të lihet pas dore është edhe Danika Patrik, femra e parë në histori që ka fituar një garë në Formula Indi. Gjithsesi, Uindsor pohoi se ndoshta për dy sezonet e para mund të afrohet edhe një pilot që ka eksperiencë në F1. Objektivi kryesor është Rubens Barrikelo, i cili ka përjetuar dy sezone të vështira te Honda, skuadër që tashmë është tërhequr dhe nuk po gjen blerës.
 

Top Channel