“Tirana ka në kontingjentin e saj lojtarët më të mirë të kampionatit dhe nuk është nga ato klube që merren me pazare”.
Kjo është deklarata e donatorit të 23 herë kampionëve, Refik Halili. Pas tetë javësh si ndjekëse, Tirana është rikthyer në krye të Kategorisë Superiore. Rokada me Vllazninë nuk kaloi pa polemika nga drejtuesit e klubit shkodranë.
Presidenti Valter Fushaj në deklaratat pas barazimit 0-0 në fushën e Elbasanit akuzonte se “shumë qytete punojnë pro bardhebluve” dhe rrjedhimisht dëmtojnë kuqeblutë e drejtuar nga Agim Canaj. Për ironi të fatit, në fundjavë kryeqytetasit do të ndeshen pikërisht kundër verdhebluve, që me gjithë përforcimet në merkaton e janarit ndodhen në “zonën e ftohtë” të klasifikimit.
Edhe pse fitorja e Tiranës do të konsiderohej normale, sfida e së shtunës në “Selman Stërmasi” mund të shoqërohej me të tjera akuza. Por, në prag të kësaj sfide delikate, donatori Halili kundërshton gjithçka që është përfolur, duke thënë se po tentohet të hidhet baltë mbi skuadrën.
“Tirana nuk merret me pazare në kampionat. Me këto akuza që janë bërë kundër nesh, kërkojnë të njollosin jo vetëm klubin, por edhe futbollistët, të cilët janë më të mirët e Kategorisë Superiore dhe po luftojnë në mënyrë të ndershme për t’u shpallur kampionë”, ishin fjalët e drejtuesit bardheblu. Më tej, ai i ka cilësuar akuzat të rëndomta, duke kthyer në vëmendje faktin se Tirana është viktimë e këtyre presioneve.
“Vllaznia është një skuadër me shumë traditë në futbollin shqiptar, e respektoj këtë klub, drejtuesit e saj dhe mbi të gjitha tifozerinë e jashtëzakonshme shkodrane. Dëshiroj t’u uroj suksese për pjesën e mbetur të sezonit, por nuk kam ndërmend të merrem më shumë me këtë çështje, e cila realisht më duket e rëndomtë”, vazhdoi Halili. “Klubi i Tiranës nuk është marrë asnjëherë me arbitrat dhe gjëra të tilla. Përkundrazi, mund të them se jemi ne ata që kemi vuajtur pasojat e presioneve nga jashtë në situata të tilla”.
Sfida me Elbasanin parashikohet e vështirë, jo vetëm për kualitetin e kundërshtarëve, por mbi të gjitha për problemet financiare që ende vazhdojnë. Burime pranë kryeqytetasve konfirmuan se “përplasja” mes katër donatorëve ende nuk është zgjidhur dhe financimi i skuadrës mbetet një pikë e nxehtë.
Halili nuk preferon të flasë shumë mosrespektimin e kontratës nga drejtuesit e tjerë, por konfirmon: “Problemi i Tiranës nuk janë këto deklarata dhe akuzat mediatike, por problemi më i madh është ai që ekziston brenda llojit. Jemi aq të zënë me këto gjëra, saqë nuk na mbetet kohë të merremi me ato që thonë rivalet tona, pohoi donatori.
Marrëveshja e verës ende nuk është zbatuar dhe për pasojë unë mbetem një njeri i thjeshtë, në shërbim të klubit. Kam pasur probleme, por i lutem Zotit që Tirana ta fitojë titullin kampion”. Në fund, ai konfirmon besimin te potenciali i skuadrës së drejtuar nga Agustin Kola, e cila regjistron katër fitore radhazi. Halili përfundoi: “Tiranën e dua; kemi lojtarë cilësorë dhe një grup shumë të mirë. Kam besim se do ta fitojmë titullin”.
Top Channel