
Kalvari i Lorik Canës është drejt fundit. Pasi ka qëndruar për afro dy muaj jashtë fushave të lojës (situata u përkeqësua në fund të dhjetorit 2008), mesfushori kuqezi duket plotësisht i rikuperuar nga dëmtimi në gjurin e djathtë.
25-vjeçari do të jetë në kontingjentin e teknikut Erik Gerets për sfidën e së enjtes (më 19 shkurt) në Kupën UEFA, ku Olimpik Marseja do të luajë kundër holandezëve të Tuentes.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të klubit francez, që saktësonte se “gjuri i Canës është kthyer në gjendje optimale dhe prej disa ditësh nuk është më i ënjtur”.
Ende nuk është saktësuar nëse kapiteni i marsejezëve do të aktivizohet. Rehabilitimi i plotë i Canës ka ardhur afro 10 ditë me vonesë nga data e parashikuar.
Lojtari pritej të ishte plotësisht i gatshëm që prej sfidës në Ligën 1 me Monakonë, më 8 shkurt. Ai nuk luajti as në takimin eliminator ku Shqipëria barazoi 0-0 në fushën e Maltës, një mungesë që peshoi shumë për kuqezinjtë.
Top Channel