Skela, “frymëzuesi” i Kotbus

16/02/2009 10:00

Ervin Skela vazhdon të “frymëzojë” Energie Kotbus në garën për të mbijetuar në Bundesligë.

Mesfushori shqiptar ka qenë protagonist i një tjetër paraqitjeje të mirë, në barazimin 1-1 që skuadra e tij arriti në fushën e vështirë të Borusias së Dortmundit. Vlonjati është aktivizuar për 87 minuta, ndërkohë që ka qenë i rrezikshëm me aksionet personale, gjuajtjet drejt portës kundërshtare dhe harkimet nga goditje standarde për shokët e skuadrës.

Madje, goli i Kotbus, që solli avantazhin e përkohshëm 1-0 të miqve erdhi për meritë të 32-vjeçarit kuqezi. Kur kronometri shënonte 31 minuta lojë, Skela merr një pasim të shkurtër nga goditja e këndit dhe lëshon një predhë të pakapshme për portierin Veidenfeler.

Por, për fatin e keq të shqiptarit topi përplaset në shtyllë, ndërkohë që Kagdas i gjendur aty pranë e ka shtyrë drejt rrjetës. Gjatë këtij sezoni në elitën e futbollit gjerman, Skela ka realizuar vetëm një gol, atë të javës së 14-të, në portën e Bajernit të Mynihut, ndërkohë që numëron edhe tri rrjeta në Kupë.

Top Channel