Shtypi i huaj: Shqipëria humbi shansin

13/02/2009 09:45

Një barazim i hidhur i Kombëtares kuqezi në Maltë nuk i ka kënaqur jo vetëm shqiptarët, por nuk ka përmbushur as pritshmëritë e opinionit evropian të futbollit.

Pas ndeshjes në “Ta’ Qali”, mërzia e trajnerit të Shqipërisë, Ari Hani, ishte më se e dukshme, edhe pse ky ai u mundua që të mos ta dramatizonte shumë situatën.

“Çfarë shansi kemi humbur për të qenë në vend të parë në grup, u shpreh Han, në një prononcim të tij të botuar në agjencinë prestigjioze të lajmeve ‘Reuters’.

Një fitore do të na vinte në një pozicion komod. Në pjesën e parë patëm vështirësi në gjetjen e lojës sonë. Prisja që ekipi të ruante përmirësimin edhe në pjesën e dytë, por gjithçka në këtë pjesë shkoi edhe më keq se në të parën. Pasimet e lojtarëve të mi ishin të çuditshme dhe ftuam vetë Maltën që të na sulmonte”.

Ai vlerësoi se 45 minutat e dyta në fushën malteze ishin më të këqijat që kur u bë trajner i kuqezinjve. “Ishte pjesa jonë më e dobët që kur jam trajner i kësaj skuadre, shpjegoi ai, ndoshta sepse lojtarët kanë mungesë praktike në ndeshje”. Shqipëria nuk pati kapitenin Altin Lala dhe zëvendëskapitenin Lorik Cana, po ashtu portierin Beqaj, ndërsa Erion Bogdani luajti me qepje në fytyrë, sidomos pas tri minutave lojë.

Për mosshfrytëzimin e këtij shansi të madh për të arritur në vend të parë, dakord me Hanin është edhe shtypi ndërkombëtar. “Herald Tribune”, “UEFA.com”, “PR.Inside” “Sportbeting.com”, i titullojnë shkrimet e tyre: “Albania misses chance to go top of grup” (“Shqipëria humbet shansin për kreun e grupit”).

Po kështu e ka titulluar faqen e saj edhe portugezja “PortuGOAL”, që e shikon barazimin e Shqipërisë si një favor për Portugalinë. Edhe gazetat daneze dhe suedeze e kanë komentuar si një shans të humbur të kuqezinjve ndaljen e Shqipërisë te një barazim 0-0 në Maltë. Kombëtarja jonë tashmë është në kuotën e 6 pikëve dhe pozicionohet e treta, pas Danimarkës (7) e Hungarisë (7). Por gjithsesi, për momentin, ka lënë pas Portugalinë dhe Suedinë me nga 5 pikë dhe Maltën me 1 pikë.

Top Channel