Shqiperia ne BE, Bakojanis: Plotesoni reformat

09/02/2009 11:30

Greqia mbeshtet perspektiven shqiptare per integrimin ne Bashkimin Evropian, po kjo varet vetem nga reformat.

Keshtu u shpreh ne Tirane, shefja e diplomacise greke, njekohesisht edhe presidente e radhes e OSBE-se, Dora Bakojanis, ne nje konference te perbashket per shtyp me homologun e saj, Lulzim Basha.

“Ka patur hapa pozitive, po gjithnje ka vend per permiresime. Shqiperia ne 2014 ne Bashkimin Evropian? Kjo eshte nje pikepamje optimiste. Besoj se gjithkush ne BE beson se Ballkani Perendimor i perket kesaj strukture. Duhet qe zgjerimi i Unionit te behet sa me pare te jete e mundur”, u shpreh Bakojanis.

Ndersa duke prekur ceshtjen e zgjedhjeve dhe misionin e vezhguesve te OSBE-se qe do te mberrijne ne vendin tone, Bakojanis u shpreh se thelbesor eshte plotesimi i standarteve, ndersa theksoi se zbatimi i reformave nga te gjitha partite politike i vjen ne ndihme aspiratave integruese te Shqiperise.

Basha: Marredheniet mes nesh, te shkelqyera

Ministri i Jashtem shqiptar, Lulzim Basha, i cilesoi si te shkelqyera marredheniet me Greqine dhe theksoi se fqinji yne jugor mbetet nje partner strategjik.

“Mes dy popujve tane ka raporte shume te mira dhe marredheniet mes dy vendeve jane paqesore dhe me perspektive te sigurte”, u shpreh Basha.

Kreu i diplomacise shqiptare, vleresoi se turi i Bakojanis ne rajon, si presidente e radhes e OSBE-se tregon rendesine qe Greqia po kushton Ballkanit perendimor.

“Me kerkesen e Shqiperise per te marre kryesimin e OSBE-se ne vitin 2012, kerkova mbeshtetjen e Greqise per te marre nje vendim ne tetor te vitit 2009”, u shpreh Basha.

Duke folur per zgjedhjet, Basha theksoi se Shqiperia po tregon vullnet per te pritur misionin me te madh vezhgues te OSBE-se qe ka qene ndonjehere ne vendin tone.

Shqiperia ne NATO, Bakojanis: Se shpejti firmosim protokollin

Edhe ministrja e Jashtme greke vleresoi marredheniet mes dy vendeve dhe perpjekjet dypaleshe per te ruajtur fqinjesine e mire.

Ministrja permendi nenshkrimin e nje marreveshje mes dy ministrive per ceshtjen e varrezave greke, si dhe miratimin e shpejte te protokollit te anetaresimit ne NATO te Shqiperise.

Duke folur si kryesuese e OSBE-se, Bakojanis theksoi se misioni vezhgues qe do te mberrije ne qershor do te jete i madh, ndersa zgjedhjet e lira dhe transparente mbeten nje pike e rendesishme per integrimin e Shqiperise.

Bakojanis foli edhe per bashkepunimin ekonomik mes dy vendeve, sidomos ne kete moment kur e gjithe bota po kalon krizen financiare.

Top Channel