Muça te Dinamo, mungon vetëm zyrtarizimi

09/02/2009 09:30

Edhe pse zemra e tij është bardheblu, Shkëlqim Muça nuk kishte si të refuzonte Dinamon. Ish-shefi i klubit te Tirana do të rikthehet në futbollin e luajtur pas afro një viti shkëputjeje.

Ai dha dorëheqjen nga posti te 23-herë kampionët e Shqipërisë, në mars të vitit 2008, menjëherë pas humbjes 4-1 në derbin me Partizanin. Që prej asaj periudhe, Muça ka punuar në rolin e specialistit në emisione sportive, duke pritur ofertën më të mirë.

Emërimi i tij në stolin e bluve kryeqytetas duket pothuajse i përfunduar, ndërkohë që mungon vetëm zyrtarizimi nga palët e përfshira në marrëveshje. Dje, Muça ka pritur një telefonatë nga krerët e klubit, por duket se prej impenjimeve të presidentit Besnik Sulaj, gjithçka u shty për disa orë. Takimi ku do të përcaktohen detajet e kontratës do të zhvillohet sot.

Burime pranë presidencës dinamovite saktësuan: “Edhe pse ishte menduar që akordi të arrihej të dielën, gjithçka është shtyrë për të hënën (sot). Presidenti Sulaj kishte impenjime me bizneset e tij dhe emërimi i trajnerit të ri te Dinamo u shty vetëm me pak orë”.

Vendimi

Shkëlqim Muça cilësohet si një prej trajnerëve më të mirë në qarkullim. Kjo i ka shtyrë kampionët në fuqi të Kategorisë Superiore të mos humbasin kohën me alternativa të tjera.

Llogaritë ishin fare të thjeshta: ata donin ish-zyrtarin e Tiranës, por edhe ky i fundit e sheh Dinamon si një piacë të rëndësishme për t’u rikthyer. Gjithçka që mungon është firma në kontratë, edhe pse tashmë ai shihet me 99 për qind si drejtuesi i ri i stolit.

“Me Zlatko Daliç, drejtuesit e klubit filluan një projekt ambicioz, duke shpenzuar shifra të mëdha për kampionatin shqiptar. Do të ishte alogjike që skuadra t’i besohej një trajneri i cili nuk do të gëzonte mbështetjen e plotë. Muça nuk është i tillë, presidenti Sulaj dhe bashkëpunëtorët e tij i vlerësojnë aftësitë e këtij trajneri dhe mendojnë se ai mund të punojë mirë me kontingjentin aktual. Me 99 për qind, Muça është trajneri i ri i Dinamos dhe objektivi është që ta rikthejë skuadrën në garën për titullin kampion”, sqaruan burimet.

Karriera

Pas dy humbjeve radhazi, më parë me Tiranën dhe më pas me Partizanin, blutë renditen në vendin e tretë, tetë pikë larg Vllaznisë kryesuese. Gjatë karrierës si futbollist dhe më pas si drejtues, Shkëlqim Muça ka treguar se është një fitues dhe këtë mentalitet kërkohet që ai ta transmetojë te Dinamo.

Ai ka fituar shtatë tituj kampionë (katër si lojtar dhe tre si trajner), i fundit në sezonin 2006/’07. Kjo është hera e parë që ish-lojtari i Kombëtares shqiptare punon në një skuadër që nuk është Tirana.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA