Ilion Lika, operacion i suksesshëm

09/02/2009 10:50

Ilion Lika ka kaluar me sukses operacionin në Belgjikë dhe tashmë duhet të mendojë vetëm të rehabilitohet sa më shpejt.

Ndërhyrja kirurgjikale u bë e domosdoshme pas dëmtimit që pësoi portieri në tendinë, gjatë fazës përgatitore me Yerekun e Groznit në Antalia. Lëndimi i “gardianit” ishte serioz dhe së bashku me stafin mjekësor të klubit, u vendos që ai të shtrohej në një klinikë të specializuar në Belgjikë.

29-vjeçari u operua gjatë javës që kaloi, ndërkohë që vetëm pak orë më pas ai u ribashkua me skuadrën. Sapo Tereku të mbyllë përgatitjet në tokën turke, për t’u rikthyer në Çeçeni, Lika do t’i nënshtrohet një programi të specializuar rikuperimi, me shpresën se do të rikthehet sa më shpejt në fushën e lojës.

Pasi u largua si “tradhtar” nga Dinamo, skuadra ku u formua si lojtar dhe luajti për tetë sezone (1999-2007), portieri u transferua tek Elbasani. Në janar të vitit 2008, ai përfundoi aventurën verdheblu, duke u transferuar te Terek Grozni në një marrëveshje nga e cila përfitonte afro 500 mijë dollarë amerikanë për dy sezone.

Tashmë, kur ka kaluar afro një vit me skuadrën që militon në kampionatin rus, Lika është shndërruar në një prej futbollistëve kryesorë. Falë ndihmës së tij, klubi çeçen arriti të mbijetonte në Premier Ligë, duke u renditur i dhjeti mes 16 skuadrave pjesëmarrëse.

Top Channel