Dinamo e Zagrebit, miqësore në Kosovë

07/02/2009 10:25

Më 17 shkurt, në 1-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, klubi më i famshëm kroat, Dinamo e Zagrebit, do të zhvillojë një miqësore në shtetin më të ri evropian.

Ata do të përballen me Trepçën ‘89, duke i dhënë fund pritjes prej afro dhjetë vjetësh të kosovarëve, për të parë në tokën e tyre një klub të njohur në arenën ndërkombëtare.

Kampionët e Kroacisë njoftuan se e pranuan me kënaqësi ftesën e presidentit të Federatës Kosovare (FFK), Fadil Vokrri. Sipas drejtuesve të Dinamos, skuadra e tyre do të udhëtojë për në Kosovë me misionin e paqes, por ndeshja ndaj Trepçës ‘89 do t’i shërbejë ekipit si përgatitje përpara derbit me Hajdukun e Splitit, e cila do të zhvillohet pesë ditë më vonë.

Ndeshja ka shkaktuar edhe shumë reagime politike, mirëpo zëdhënësi i klubit nga Zagrebi, Sinisha Jagodiç, ka thënë: “Dinamo është me mision për paqen. Kemi marrë një ftesë për miqësore në Kosovë dhe e kemi pranuar me kënaqësi. Këtu nuk ka asgjë të çuditshme. Ekipi vendas do të jetë i përforcuar edhe nga disa futbollistë të Superligës së Kosovës”. Edhe trajneri i kroatëve, Marijan Vlak, është shprehur i kënaqur që ekipi i tij do të luajë në Kosovë.

“Kam planifikuar një ndeshje përgatitore, tha ai. Nuk e prisja që ajo të ishte kaq larg Zagrebit, por do të shkojmë atje me aeroplan dhe lojtarët nuk do të lodhen. Do të kem në dispozicion të gjithë futbollistët. Kjo miqësore do të pritet pozitivisht jo vetëm në Kosovë, por edhe në Zagreb, ku jetojnë shumë shqiptarë. Nuk merrem me politikë, por gjithmonë kam pasur dëshirë të luaj në Prishtinë. Atje ka pasur mjaft dinamovitë”.

Në anën tjetër, presidenti i Trepça ‘89, Abedin Zeka, konfirmoi miqësoren ndaj Dinamos së Zagrebit. Ai zbuloi se në ndeshjen për 1-vjetorin e pavarësisë, si alternativë ishin edhe turqit e Fenerbahçes, por në fund u zgjodh përballja me kroatët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA