Shuplake “ceke” per ligjin “cek”

28/01/2009 17:40

Dyzet e tete ore para afatit per hyrjen ne fuqi te ligjit te Lustracionit, presidenca e Bashkimit Europian, e drejtuar nga Cekia, ka bere reagimin e pare zyrtar te saj per ligjin e miratuar 5 jave me pare ne Parlament, vetem me votat e maxhorances.

Megjithese me nje reagim te vonuar,  karakteristike kjo per burokracine e Brukselit, presidenca e Bashkimit Europian, ka shperndare nje deklarate, e cila, edhe pse shume e shkurter, reflekton tone te forta kundershtuese per ligjin e Lustracionit. Nje ligj, qe sipas perkufizimit te kryeministrit Berisha, eshte model i ngjashem me ligjin cek te Lustracionit.

Por ne kater pikat e deklarates se presidences ceke, theksohet se pari se, dialogu politik eshte i nje rendesie te jashtezakonshme per Bashkimin Europian dhe se dialogu politik eshte nje nga kriteret per pranimin ne BE. Nje fjali kjo qe fare mire mund te perkthehet si nje argument i Brukselit kunder ligjit te Lustracionit, per te cilin mungoi konsensusi i opozites si dhe nje shuplake e forte ndaj menyres se si nismat ligjore qe kane nevoje per konsensus, kalohen nga shumica aktuale me forcen e kartonit te votave.

Pika e dyte e deklarates se presidences ceke i kushtohet sistemit te drejtesise, duke theksuar se Bashkimi Europian i kushton te njejten rendesi te madhe mirefunksionimit dhe pavaresise se gjyqesorit nga politika. Duke theksuar kete fakt, Bashkimi Europian duket se i eshte bashkuar shqetesimit te ngritur nga opozita dhe faktoreve te tjere nderkombetare per ligjin e Lustracionit, i cili perjashton nga detyra te gjithe gjyqtaret dhe prokuroret qe kane marre pjese ne gjyqe politike dhe faktit se disa prej tyre, jane sot hetues apo gjykates ne disa prej proceseve te ndjeshme gjyqesore.

Se treti, presidenca ceke atakon drejtpersedrejti ligjin e Lustracionit kur thote se ligji ngre shqetesime per aspekte te caktuara te tij, qe lidhen si me proceduren edhe me permbajtjen e tij.

Dhe se fundi, ne deklaraten zyrtare, presidenca ceke thote ate qe asnje prej insitucioneve te tjera nderkombetare nuk e ka shprehur deri tani. Se Bashkimi Europian do te takohet me qeverine per te bere te qarte pozicionin ne lidhje me ligjin e Lustracionit. Ndoshta per te bere ate, qe deri me sot nuk e ka bere as opozita; per te nisur aksionin per kthimin mbrapsht ose rishikimin e ketij ligji, nder me te debatueshmit ne historine e parlamentarizmit shqiptar.

Top Channel