Tirana A.S. dhe Jubani, finalistet e turneut

26/01/2009 10:15

Turneu i parë kombëtar në Shqipëri për futbollin e femrave njeh finalistet. Tirana A.S. dhe Jubani do të luftojnë më 27 janar për të fituar trofeun e këtij aktiviteti.

Në gjysmëfinalen e parë janë përballur dy skuadra kryeqytetase, ku Tirana A.S. kaloi me rezultatin e thellë 7-0 The Doors. Goleada nuk ka munguar as në takimin tjetër, me Jubanin që mposhti 5-0 Rubikun. Dy finalistet janë edhe ekipet që kanë shënuar më shumë në aktivitet, duke treguar diferencë të dukshme teknike me rivalet.

Vajzat bardheblu kanë realizuar 15 gola në dy takime (8 prej të cilave në fitoren me Tropojën). Disi më mbrapa shkodranet e Jubanit, që në dy sfida kanë realizuar “vetëm” 12 gola (fitore 7-0 me Olimpikun në ndeshjen e parë). Përballja e ditës së martë pritet të jetë mjaft e luftuar, edhe sepse skuadrat nuk janë të panjohura për njëra-tjetrën.

Tirana A.S. dhe Jubani janë ndeshur më 15 nëntor të vitit 2008, në finalen e vlefshme për Kupën Kastrioti. Në atë periudhë, në fushën e rikonstruktuar të stadiumit të Krujës, u luajt sfida e parë e futbollit të femrave në një impiant standard të sportit më popullor në vend.

Tirana ishte fituese e Kupës së Promocionit, ndërsa Jubani si fituese e Kupës së Pavarësisë. Për të përcaktuar ekipin fitues të Kupës Kastrioti ishte e nevojshme ekzekutimi i 11-metërshave, pasi 90 minutëshi i rregullt përfundoi në barazim 2-2. Nga pika e bardhë, vajzat bardheblu u treguan më të sakta, duke fituar me rezultatin 3-2 (5-4 rezultat i përgjithshëm).

Top Channel