
Isli Hidi dhe Blerim Rrustemi “braktisin” skuadrën qipriote të Alki Larnakas. Është media qipriote ajo që ka bërë të njohur lajmin, sipas të cilit mësohet se dy futbollistët shqiptarë janë revoltuar me drejtuesit e skuadrës, të cilët nuk po tregohen korrektë për sa i përket shlyerjes se detyrimeve financiare të parashikuara në kontratë.
Sipas faqes qipriote në internet “Kerkida.net”, portieri aktual i kombëtares së Shqipërisë, Hidi, së bashku me ish-mbrojtësin e përfaqësues kuqezi Rrustemi, mungojnë prej disa ditësh në stërvitje, për shkak të këtij problemi.
Sipas të dhënave të publikuara së fundmi, lojtarët nuk janë paguar që prej tre muajsh. Pas përpjekjeve të shumta, por të dështuara për zgjidhjen e kësaj çështjeje, reagimi i parë i ashpër i dy shqiptarëve ka qenë braktisja e stërvitjes së skuadrës.
Ndërkohë që media ishullore sqaron se tashmë çështja e tyre ka mbërritur edhe në dyert e Federatës Qipriote të Futbollit. Hidi dhe Rrustemi, të mbështetur edhe në klauzolat e kontratës, apo në rregulloret e organit më të lartë të futbollit qipriot, kërkojnë: prishjen e kontratës, shlyerjen e detyrimeve dhe lënien e tyre si lojtarë të lirë para se të mbyllet merkatoja e dimrit.
Gjithçka tashmë është zyrtarizuar falë dorëzimit të kërkesës në zyrat e federatës nga ana e avokatëve të tyre. Sikurse bën të ditur faqja sportive “Albaniasoccer.com”, skuadra e dy shqiptarëve duhet të paguajë 41 000 euro pranë federatës vendase që të lejohet të transferojë lojtarët përpara përfundimit të afatit të merkatos.
Duket se do të përfundojë këtu aventura e dy futbollistëve tanë në radhët ekipit Alki Larnakas. Isli Hidi, ish-portieri i Tiranës, i cili e ka nisur karrierën e tij si futbollist profesionist në vitin 2000 te bardheblutë, por që në sezonin 2007-2008 u aktivizua edhe në radhët e skuadrës ukrainase FC Krivbas, vetëm në fillim të këtij sezoni ka firmosur për ekipin qipriot.
Vlera e tij, sipas kompanisë që e menaxhon (Sportx Management S.R.L. Unipersonale), është 750 mijë euro dhe në drejtim të tij ka oferta nga skuadra të tjera në kampionatin qipriot, por edhe atij grek. Momentalisht Hidi është portieri i parë i kombëtares shqiptare, për shkak të dëmtimit të portierit tjetër Arjan Beqaj.
Po e njëjta kompani menaxhon edhe të drejtat e ish-mbrojtësit të kombëtares, Blerim Rrustemi.
Vlera e përcaktuar e tij në faqen e specializuar të transferimeve “Transfermarkt.de” është 400 mijë euro. Për sa i përket të ardhmes së Rrustemit, sipas shtypit qipriot mësohet se, në drejtim të tij ka mbërritur një ofertë nga një ekip tjetër i kampionatit qipriot. Gjithsesi, për momentin ende nuk është mësuar emri i klubit të interesuar për mbrojtësin.
Top Channel