
Kriza mes donatorëve te Tirana është bërë më e dukshme. “Ftohja” u konfirmua gjatë pasdites së djeshme. Kryedonatori Refik Halili kishte njoftuar sponsorët e tjerë të bardhebluve për mbledhjen e kryesisë, ku tema kryesore do të ishte situata financiare e klubit.
Megjithatë, të tre donatorët e tjerë nuk u paraqitën, duke dhënë sinjale të qarta bojkoti. Pas më shumë se një orë pritjeje, Halili ka dalë në konferencë për shtyp dhe analizoi situatën. “E kishim njoftuar prej disa ditësh këtë mbledhje të kryesisë, e cila ishte planifikuar në fundjavën që kaloi.
Por, për arsye“Duhej të diskutonim për ecurinë e skuadrës, për problemet me të cilat jemi përballur gjatë kësaj kohe, mbi të gjitha me çështjen e detyrimeve financiare. Juve më thoni kryedonator, por unë ju pyes ku i kam tre donatorët e tjerë. Deri më tani i kam përballuar i vetëm 75 për qind të shpenzimeve, ndërkohë që Shefikat Ngjela ka siguruar 25 përqindëshin e mbetur. Papuli ka kontribuuar paksa në fillim të sezonit (bëhet fjalë për afro 20 milionë lekë të vjetra), e më pas është shkëputur, ndërsa Nuri nuk ka dhënë asnjë qindarkë nga shuma që detyrohej. Unë mund ta mbaj edhe i vetëm skuadrën, por kjo situatë duhet sqaruar sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk do të ishte e logjikshme që ata të vinin në fund të sezonit dhe të pretendonin se vitin e ardhshëm të vazhdonin të ishin përsëri donatorë, ndërkohë që më parë nuk i kanë respektuar impenjimet e këtij edicioni”.
Sjellja e donatorëve është cilësuar e patolerueshme dhe nuk ka munguar kërcënimi se Agron Papuli dhe Avni Nuri mund të përjashtohen nga pozicioni i tyre, në krye të 23 herë kampionëve. Kjo masë është përcaktuar nga anëtarët e tjerë të kryesisë, të cilët i kanë dhënë edhe një shans të fundit.
“Jemi persona tolerantë dhe për këtë arsye do t’u japim këtyre drejtuesve edhe një shans tjetër. U vendos që të përcaktojmë një datë të mëvonshme për zhvillimin e mbledhjes së kryesisë, për të diskutuar të gjithë së bashku dhe për të gjetur një zgjidhje në të mirë të Tiranës”, theksoi Halili. “Së bashku me anëtarët e tjerë të kryesisë së klubit vendosëm që nëse këta donatorë nuk vijnë edhe në atë takim, atëherë do të përjashtohen nga pozicioni i tyre. Kur do të mblidhemi përsëri? Ende nuk është vendosur asgjë, megjithatë do të bëhen përgatitjet e nevojshme dhe të gjithë do të njoftohen që të jenë prezentë”.
Përplasjet mes donatorëve kanë nisur në fillim të këtij sezoni. Në mungesë të presidentit të klubit u mendua që ky post të mbahej me rrotacion për katër vitet në vazhdim.
Megjithatë, pas emërimit të Halilit, Avni Nuri dhe Agron Papuli dolën me idenë se nuk do të paguanin për periudhën kur nuk do të kishin drejtimin e skuadrës, por do t’i hiqnin personalisht të gjitha shpenzimet pa pasur ndihmën e askujt, në momentin kur të emëroheshin në krye të bardhebluve.
Top Channel