
Hamburgu e ka seriozisht. Interesimi i tyre për Lorik Canën është konkret. Pas zërave për një interesim të skuadrës gjermane ndaj mesfushorit shqiptar të Olimpikut të Marsejës gjatë ditës së djeshme, gjithçka është konkretizuar me bërjen publike të ofertës zyrtare nga ana e drejtuesve të ekipit të vendit të katërt në Bundesligë.
Ngjarjet po zhvillohen shumë shpejt në 48 orët e fundit. Kjo, për faktin se klubi gjerman nxiton të gjejë sa më shpejt zëvendësuesin Nigel de Jong, i cili duket i destinuar për të kaluar te Mançester Siti.
Sipas shefit të merkatos së Hamburgut, Dietmar Beiersdorfer, kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës do të ishte një përforcim ideal në vend të holandezit.
Por, duke ditur se për mesfushorin e kombëtares shqiptare kanë shpalosur interesin e tyre një numër i madh skuadrash me peshë në Evropë (Arsenali, Evertoni, Bajerni), drejtuesit e Hamburgut kanë nxituar të mbyllin një marrëveshje të shpejtë. Pikërisht gjatë ditës së djeshme, sipas shtypit gjerman, Hamburgu e ka bërë publike një ofertë prej 15 milionë eurosh për Canën.
Por, me gjithë insistimin e madh të klubit gjerman, duket se jo gjithçka është në favorin e tyre. Një gjë të tillë e lënë të nënkuptohet shkrimet e djeshme të mediave franceze, sipas të cilave, “edhe pse oferta e Hamburgut është jo e vogël, klubi i Marsejës nuk duket i vendosur për t’u privuar nga një prej simboleve të ekipit të tij”. Një tjetër disfavor është edhe koha e papërshtatshme për realizimin e kësaj tratative.
Nëse Cana do të lejohej të largohej në merkaton e dimrit, ashtu sikurse kërkojnë gjermanët, kjo lëvizje do të shkatërronte një ekip me shumë ambicie, të ndërtuar nga presidenti Pape Diuf, që synon kampionin dhe Kupën UEFA. Po ashtu, edhe pse vetë Cana nuk është shprehur ende në lidhje me ofertën e gjermanëve, sigurisht që nuk është Hamburgu skuadra që do ta tundonte.
Sipas një rrëfimi të bërë nga mesfushori shqiptar vetëm para pak muajsh në Tiranë, destinacioni i mundshëm i tij në fund të këtij sezoni mund të jetë Bundesliga, por jo Hamburgu. Shanset për të pasur shërbimet e tij i ka Bajerni i Mynihut, skuadër e cila prej kohësh ka shprehur interesin për Canën. Madje, ekzistojnë edhe dyshime se mes dy palëve është nënshkruar një parakontratë.
Top Channel