
Pasi ka fituar 5-1 ndeshjen e parë ndaj modestëve turq të Bafra Beledyespor, dy ditë më parë, Tirana humbet 1-3 miqësoren e luksit përballë skuadrës Brazili “B”, të luajtur dje në Antalia, atje ku bardheblutë po zhvillojnë që prej 10 janarit minifazën përgatitore.
Miqësorja
Nuk bëhet fjalë për një kombëtare të mirëfilltë, por për një grup futbollistët të rinj dhe të talentuar nga vendi i Sambas, të përzgjedhur për t’u stërvitur në Turqi, ku edhe mund të jenë nën vëzhgimin e menaxherëve të shumtë të interesuar për t’i blerë ata për klubet e tyre evropiane.
Drejtuesit e këtij seleksioni brazilian kanë pranuar ofertën e bardhebluve për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore dhe kjo është konkretizuar dje, në një nga ambientet sportive të Antalias. Lajmi u bë i njohur nga burime pranë skuadrës së Tiranës në Turqi dhe më pas u konfirmua edhe nga shefi i klubit bardheblu, Edi Gjini.
Edhe pse takimi ka pasur vlerën e një testimi për lojtarët e të dyja skuadrave, mësohet se në fushë është luajtur një futboll i vërtetë, ku në fund bardheblutë kanë rezultuar humbës. Trajneri Austin Kola ka zbritur në fushë më të mirët që kishte në dispozicion, duke formuar një 11-she titullare të përbërë nga Nallbani në portë;Lila, Osmani, Dabulla e Abraham
në mbrojtje; Muzaka, Pezo, Devolli, Agolli dhe Xhafaj e Memelli në sulm.
Gjatë pjesës së dytë të ndeshjes janë bërë edhe zëvendësimet e tjera nga trajneri Kola.
Mes të aktivizuarve si zëvendësues ishte edhe kapiteni Devis Mukaj, i cili ka spikatur, duke shënuar golin e vetëm të bardhebluve në këtë takim, që ka përfunduar me rezultatin 3-1 në favor të brazilianëve të rinj. Pas humbjes,gjithçka është lënë pas, pasi Tiranës i duhet të mendojë më shumë për përgatitjen për të përballuar me sukses pjesën e dytë të sezonit të kampionatit shqiptar të futbollit.
Merkato
Merkatoja e dimrit do të vazhdojë të jetë e hapur deri më 31 janar dhe Tirana është përforcuar me dy lojtarë, sulmuesin Xhualian Rrudho dhe mesfushorin Sajmir Patushi. Por merkatoja nuk quhet e mbyllur për ta, edhe pse e theksojnë se edhe me lojtarët që kanë dispozicion, janë në gjendje të synojnë fuqishëm titullin kampion të sezonit. Këtë e theksoi fort
presidenti Refik Halili, sipas të cilit, trajneri Kola e ka në dispozicion potencialin e nevojshëm të lojtarëve për të konkurruar fort Vllazninë, madje për të fituar edhe titullin. “
Top Channel