
Oferta e Mançester Sitit për brazilianin Kaka synon të thyejë të gjitha rekordet. Për brazilianin 26-vjeçar, pronarët arabë të klubit anglez kanë përgatitur një rrogë, e cila është 81 herë më e lartë se shifra që do të paguhet Barak Obama në momentin kur të fillojë punën si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nëse pranon të transferohet në Premiership, mesfushori i Milanit do të paguhet 335 mijë sterlina në javë (afro 622 mijë dollarë amerikanë, pa hequr taksat). Ende nuk është e qartë nëse blerja e Kakasë mund të realizohet apo jo, pasi për momentin gjithçka është në kuadrin e spekulimeve, megjithatë drejtuesit e Sitit këmbëngulin se bisedimet për afrimin e ish-fituesit të “Topit të Artë”, po vazhdojnë.
Gjithsesi, oferta e sheikëve siguron të ardhura financiare shumë herë më të larta se disa drejtuesit më të rëndësishme në botë. CNN ka dhënë disa shembuj domethënës, duke krahasuar rrogën javore të Kakasë te Mançester Siti me atë tëPresidentit të SHBA-së, apo të Kryeministrit britanik.
Në llogarinë bankare të Barak Obamas, pas çdo jave që ai do të kalojë në Shtëpinë e Bardhë, do të shtohen 7690 $, ndërkohë që kreu i qeverisë në Britaninë e Madhe, Gordon Braun, përfiton afro 5233$.
Kjo është arsyeja se përse media prestigjioze ka ngritur pyetjen nëse është e drejtë që futbollistët të paguhen më shumë se liderët botërorë, madje duke hapur edhe një sondazh. Ndërkohë, nuk kishte si të mungonte edhe krahasimi me rrogat e tjera, për të treguar se sa shumë përfitojnë futbollistët apo sportistët e sportistet profesioniste në krahasim me profesionet e tjera. Momentalisht, rrogat e figurave të mirënjohura të sportit, bëjnë të duken qesharake edhe postet më të larta. Nëse Kaka pranon të nënshkruajë kontratën e ofruar, ai do të fitojë tri herë më shumë se Robinjo, që për momentin është lojtari më i paguar në Premiership.
Braziliani, i cili kaloi gjatë verës në “Istlands” nga spanjollët e Real Madridit, përfiton afërsisht 232,580 dollarë amerikanë. Mançester Siti zotërohet nga sheiku Mansur bin Zajed Al Nahjan i Abu Dabit, pasuria e të cilit llogaritet se shkon në rreth 22 miliardë dollarë. Te Milani, Kaka merr afro 208 mijë dollarë në javë.
Ndërkohë, në Brazil kanë filluar të përllogarisin se çfarë mund të blihet me 120 milionë eurot që Siti kërkon të shpenzojë për afrimin e Kaka. Sipas gazetës “Globo Esporte”, me këtë shifër mund të blihen 500 makina Ferrari, ose rreth 15 mijë makina “normale”. Në përllogaritjet e së përditshmes sportive theksohej se me 120 milionë euro mund të blihet një aeroplan “Boeing 787”, 685 apartamente në lagjen më të pasur të Sao Paolos, 746 milionë kuti shkrepëseje ose mund të ndërtohet një urë e madhe.
Top Channel