
Boksieri kosovar, Luan Krasniqi, pritet të lobojë për anëtarësimin e Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK) në Federatën Botërore të Boksit (AIBA).
Kampioni i mirënjohur junikas pritet të udhëtojë në Milano, ku më 16-18 shkurt do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të AIBA-s, së bashku me drejtuesit e FBOXK-së. Aty pritet të shqyrtohet kërkesa e kosovarëve për pranim si anëtarë në këtë asociacion.
Lajmi u konfirmua nga sekretari Mehmet Bogujevci gjatë mbledhjes së Bordit të FBOXK-së, në të cilën është biseduar rreth udhëtimit të delegacionit në Itali. Ai theksoi se përveç Luan Krasniqit, do të jetë i pranishëm edhe avokati i boksierit, Remzi Ejupi.
“Ata shprehën gatishmërinë që të ndihmojnë për lobim dhe pranim të FBOXK-së në AIBA”, sqaroi Bogujevci. Ndërkohë, federata konfirmoi pjesëmarrjen e boksierëve kosovarë në Euroligë, pas ftesës nga Federata Polake.
Top Channel