
Oferta e Mançester Sitit për Kaka është një prej temave kryesore në mbarë botën. Informacionet rreth transferimit të mundshëm të brazilianit në Angli janë nga më të ndryshmet.
Por, nuk kanë munguar as spekulimet e pabazuara dhe përgënjeshtrimet. Gjatë pasdites së djeshme, sajti elektronik “arabianbusiness.com” publikoi i pari lajmin e bujshëm se mesfushori i Milanit kishte gjetur marrëveshjen me Sitin.
Aty theksohej se sheiku Mansur kishte lajmëruar miqtë e tij se ylli i “seleçaos” pranoi ofertën financiare. Gjithsesi, klubi ka reaguar shpejt ndaj këtij lajmi, duke e përgënjeshtruar. Klubi i Premiershipit nuk ka harruar të theksojë se burimi i informacionit është absolutisht i pabesueshëm.
Kjo edhe për faktin se 24 orë më parë aty ishte publikuar lajmi se Siti kishte hequr dorë nga tentativat për blerjen e Kaka. Krerët në “Istlends” konfirmuan se bisedimet do të vazhdojnë gjatë javës së ardhshme, kur përfaqësues të skuadrës do të takohen me babanë e futbollistit, që aktualisht ndodhet me pushime në Brazil.
Aty do të bëhen kërkesë-oferta dhe në bazë të bisedimeve mund të krijohet një ide më e saktë nëse mesfushori do të vazhdojë karrierën në Itali, apo do të zgjedhë aventurën britanike. Por, Kaka nuk është objektivi i vetëm i Mançester Sitit. Duke përfituar nga financat e pakufizuara të pronarëve arabë, tekniku Mark Hjuxhs po vëzhgon merkaton, duke bërë oferta të njëpasnjëshme.
Emrat më të fundit që i janë shtuar listës janë portieri i Espanjolit, Karlos Karmeni, mbrojtësi i Interit, Marko Materaci, dhe dy mesfushorët shkatërrues, Xhenaro Gatuzo (Milan) e Nigel de Jong (Hamburg). Për Materacin është gati oferta 8 milionë euro, ndërsa për De Jong, shifra shkon deri në 15 milionë euro.
Në këtë merkato dimri, Siti është pa dyshim skuadra më aktive, megjithatë, është interesimi për Kaka, ai që i eklipson të gjitha. Sër Aleks Ferguson shprehu habi dhe u deklarua i tronditur për ofertën me vlerë 120 milionë euro për shërbimet e brazilianit. Ferguson pranoi se oferta për Kaka është e jashtëzakonshme: “Në të vërtetë shifra është pak tronditëse. Ajo i ka habitur të gjithë. Mendoj se është në kufijtë e çmendurisë”.
Top Channel