EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare mbështesin plotësisht planin e qeverisë së Kosovës për funksionalizimin e doganave në veri të Kosovës.

Në një deklaratë për media të lëshuar nga zyra e shtypit e EULEX, thuhet se marrëveshja e arritur në Bruksel më 2 shtator, për pranimin e vulave doganore dhe mundësinë e lirisë së lëvizjes dhe mallrave është një hap i rëndësishem dhe hap perspektivën europiane për Kosovën dhe Serbinë.

“Ne jemi konsultuar me autoritetet kosovare për procesin e implementimit të kesaj marrëveshjeje dhe plani që ka rezultuar nga këto konsultime ka për qëllim përmirësimin e sundimit të ligjit në portat kufitare të veriut të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

“Ndaj, BE pret që embargot ndaj tregtisë midis Kosovës dhe Serbisë tani të hiqen”, vazhdon komunikata në të cilën theksohet se plani hyn në fuqi më 15 shtator.

Në vijim jepen qëndrimet e shefit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Fernando Gentilini.

Zoti Gentilini për këtë ka thënë: “Është shumë pozitive që autoritetet e Kosovës janë konsultuar me ne rreth kësaj. Shpresoj që kjo të mundësojë implementimin e marrëveshjes së arritur në tavolinën e dialogut. Plani duhet të ndihmojë që të ndalojë kontrabandën dhe të përmirësojë sigurinë në zonën e vetme doganore të Kosovës”.

Ndërsa udhëheqësi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac ka thënë: “E gjitha kjo ka të bëjë me përmirësimin e sundimit të ligjit në veri e që është në interes të të gjithë qytetarëve që i binden ligjit. Për këtë punon edhe EULEX-i. Në portat kufitare do ketë ekipe të përziera. Puna operacionale do të bëhet nga EULEX-i, sipas mandatit të tij”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA