Operacion ndërkombëtar në Ballkan, kapen armë e municione, 58 të arrestuar

07/02/2017 00:00

Shqipëria ishte pjesë e një operacioni për goditjen e grupeve që trafikojnë armë dhe municione, ku bënin pjesë 19 shtete të botës.

Europoli, së bashku me SHBA-të dhe pjesën më të madhe të shteteve anëtare të tij, ndërmori një operacion në Ballkanin Perëndimor për të goditur grupet e trafikut të armëve dhe kryesisht të eksplozivëve.

Operacioni i përbashkët 3 ditor që nisi në 27 janar dhe zgjati tre ditë u koordinua nga Qendra Operative e Europolit në Hagë.

Kjo qendër ishte ura ndërlidhëse e shkëmbimit të informacionit ndërmjet policive të shteteve pjesëmarrëse lidhur me kontrollet në pikat kufitare.

Në total u kontrolluan 246 mijë subjekte, duke përfshirë 219 000 persona dhe 14 mijë e 800 automjete.

Rezultat i operacionit ka qenë konfiskimi i 48 armëve zjarri, 833 fishekë, 4 granata dore dhe rreth 500 gr. eksploziv plastik.

Gjithashtu, në katër shtete është konfiskuar drogë dhe cigare. Në total, janë arrestuar 58 persona në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Operacioni është në kuadër të ditëve të përbashkëta të veprimit kundër armëve të zjarrit.

Top Channel