Qeveria kërcënon opozitën

04/12/2013 00:00

Pas më shumë se një jave protestash, kryeministri ukrainas Mykola Azarov i lëshoi opozitës vendase një apel të drejtpërdrejtë për t’i dhënë fund përshkallëzimit të tensioneve.

Kushdo gjendet fajtor për shkelje të ligjit e kushtetutës do të ndëshkohet, tha kreu i qeverisë, gjatë mbledhjes së parë të kabinetit, që kur njerëzit dolën në rrugë për të protestuar ndaj mosnënshkrimit të marrëveshjes tregtare me BE-në.

“Panorama e ngjarjeve është më se e qartë. Përballemi me provokime të pastra. Nuk kishte studentë në shesh, protestuesit që dolën aty ishin provokatorë të mirëudhëzuar. Autoritetet po e demonstrojnë çdo ditë se nuk duan të ushtrojnë forcë, por është opozita, ajo që e përdor”, tha Mykola Azarov, kryeministër i Ukrainës.

Demonstratat janë më të mëdhatë në vend, që prej “Revolucionit Portokalli” pro-demokracisë në 2004-n.

Protestuesit kanë vazhduar të qendrojnë gjatë gjithë kohës në sheshin kryesor të Kievit dhe Organizata “Human Rights Watch”, me qendër në Shtetet e Bashkuara, po i bën thirrje autoriteteve të Ukrainës të hetojnë, lidhur me njoftimet se policia ka përdorur dhunë të tepruar për të kontrolluar turmat e njerëzve.

Presidenti Viktor Yanukovych e pranoi në njëfarë mënyre se refuzimi i paktit me Bashkimin Europian u bë, që Kievi të vazhdonte lidhjet e afërta me Rusinë, por nga ana tjetër ka theksuar në disa raste se do të bëjë gjithçka që është e mundur, për ta çuar Ukrainën sa më pranë BE-se.

Azarov ka tentuar gjithashtu të sigurojë se, vendimi për të mos e nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit nuk nënkupton fundin e integrimit europian. Është vetëm një pushim, pas të cilit pakti do të firmoset, thotë ai.

Por, demonstruesit nuk i besojnë udhëheqjes në Kiev dhe tashmë kërkojnë zëvendësimin e saj. Për ekspertët, dy janë mundësitë e daljes nga kjo situatë: ose qeveria negocion dhe i bën lëshime opozitës për çështjen e afrimit me BE-në, ose presidenti Yanukovych do t’i shpërndajë me forcë protestat, çka do të sjellë për Ukrainën një izolim ndërkombëtar dhe rënien e lirë në zonën e ndikimit rus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA