Obama,përgëzime nga republikanët

31/10/2012 19:25

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, mbërriti në shtetin e Nju Xhersit, për të parë ai vetë shkatërrimin masiv të shkaktuar nga uragani “Sandy”.

Në vizitën në Nju Xhersi, Obama u takua me guvernatorin republikan Chris Christie, mbi gjendjen dhe rimëkëmbjen e domosdoshme, ndërsa sipas iteneratit zyrtar, presidenti do të takohet edhe me zjarrëfikësit, punonjësit e emergjencave civile dhe banorët e prekur nga shkatërrimet masive.

Nga ana e tij, guvernatori Christie, në takimin e Nju Xhersit, përgëzoi presidentin demokrat për mënyrën se si udhëhoqi vendin gjatë krizës natyrore, pavarësisht se prej kohësh ai konsiderohet si një prej kritikëve më të mëdhenj të politikave dhe administratës Obama.

Supercikloni i kushtoi jetën të paktën 50 amerikanëve në bregun lindor, ndërsa me milionë banorë vazhdojnë të jenë të privuar nga energjia elektrike.

Të mërkurën, bursa “Wall Street” nisi transaksionet e saj pas dy ditë mbyllje, ndërsa Obama dhe rivali i tij Romney pezulluan fushatën elektorale, për të shkuar në ndihmë të zonave të prekura nga uragani.

Top Channel