Deputeti socialist Ilir Gjoni, nënkryetar i Komisionit Parlamentar të
Sigurisë tha se moslejimi kontrollit në Ministrinë e Mbrojtjes është një
skandal kushtetues.

Zoti Gjoni i ka drejtuar një pyetje publike që pret përgjigje nga ministri Imami në lidhje me partnerin serb në kompaninë e tregëtisë së armëve ku si bashkëpronare figuron bashkëshortja e drejtorit të dorëhequr të SHIU-t Ylli Zyla.

“Ministri Imami para se të dalë me deklarata publike bën mirë të pyesë ish-drejtuesin e SHIU-t apo bashkëshorten e tij, se kush është partneri serb në një prej kompanive, ku ajo zotëron aksione që tregton municione e armatime shqiptare. Ministria e Mbrojtjes nuk është pronë as e Saliut e as e Arbenit. Ajo i përket gjithë shqiptarëve, është simbol i unitetit tonë”, tha Gjoni.

Ilir Gjoni në deklaratën për median ka shpjeguar arsyet, sipas tij, përse Ministria e Mbrojtjes nuk lejon mbikqyrjen parlamentare të veprimtarisë së saj.

“Indiciet e qarta, të dhëna nga disa burime siç janë media vetë, punonjësit e institucioneve të sigurisë, deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të lartë siç ishte rasti i Berishës me 21 janar, kur deklaroi se i vetmi burim i informacionit kishte qenë SHIU dhe vetë fakti që Ministria pengon mbikqyrjen e parlamentit, na forcojnë bindjen se elementë të caktuar të kësaj ministrie kanë dalë jashtë kornizave ligjore e kushtetuese, duke u përfshirë në tregti korruptive armësh e municionesh, madje ndoshta deri në përdorimin e strukturave të specializuara të kësaj Ministrie, për kryerjen e aktiviteteve të rënda antikushtetuesve, siç mund të jenë dhe përgjimet e paautorizuara”, tha Gjoni.

Situatën e krijuar Ilir Gjoni e ka komentuar si një dëmtim të rëndë jo vetëm për imazhin Forcave tona të Armatosura, por dhe vetë NATO-n si të tërë.

Top Channel