Serbët kosovare i japin fund përdorimit të targave të ish-Jugosllavisë brenda territorit të Kosovës. Nga e shtuna kur dhe ka hyrë në fuqi vendimi për konfiskimin e të gjitha targave te vjetra policia ka konfiskuar një numër shumë të ulët të targave.
Sipas policisë tashmë është rritur ndjeshëm edhe numri i qytetarëve serbë të cilët kërkojnë të pajisen me targa kosovare.
“Deri tani nuk ka pasur shumë raste. Nga informacionet që kemi marrë, ditët e fundit është rritur numri i serbëve për t’u pajisur me targat KS dhe RKS. deri tani janë tre raste që janë ndalur dhe konfiskuar tabelat serbe”, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu.
Përvec konfiskimit të targave me tabela të vjetra, çështjet e tyre dërgohen direkt në gjykatë.
Megjithatë serbët kosovarë lejohen që këto targa të qarkullojnë në gjithë territorin e Serbisë. Në këtë mënyrë ata nuk paguajnë policën kufitare prej 130 euro që detyrohet të paguajë çdo shtetas i Kosovës. Njëri serb kosovar thotë se ka ndërruar targat serbe me ato RKS në zonën neutrale të kufirit dhe targat i vjetra i ka lënë në pjesën serbe.
“Falë zotit ende po kemi mundesi t’i përdorim targat e vjetra të ish-Jugosllavisë, por vetëm brenda territorit të Serbisë. Në këtë mënyre nuk po e paguajmë taksën prej 130 eurove për të kaluar në Serbi. Ku t’i marrim gjithë ato para? Ky vendim është shumë i rëndë për ne serbët. Po detyrohemi që në këtë mënyrë prapë duke përdorur dy palë targa të qarkullojmë disi. Personalisht nuk kam mundësi të paguaj aq shumë”, thotë një banor serb i Kosovës.
Ndaj këtij vendimi kishte reaguar Borko Stefanovic, kryenegociatori serb për bisedimet Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se ky vendim paraqet keqpërdorim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërkohë që kjo është mohuar nga Prishtina zyrtare.
Top Channel