Militantët islamikë janë duke ndërmarrë një sulm të koordinuar mbi kryeqytet dhe mbi objektiva të tjerë në Afganistan.
Një zëdhënës i talebanëve informoi se luftërarët janë duke sulmuar ambasadat në enklavën diplomatike, shtabin e përgjithshëm të NATO-s dhe godinën e parlamentit në perëndim të Kabulit.
Shpërthime të forta dhe të shumta janë dëgjuar që prej orëve të para në kryeqytet. Gjithashtu, sulme janë duke u ndërmarrë në krahinat e Logar e Paktikës, ndërsa një atentat vetvrasës ka ndodhur në Jalalabad.
NATO pranoi se ka patur raportime për shtatë sulme në Kabul.
Është konfirmuar gjithashtu lëshimi i një granate brenda një banese të përdorur nga diplomatë anglezë, ndërsa dy predha antitanku kanë goditur një kullë roje në ambasadën britanike, por pa shkaktuar dëme.
Sipas Agence France-Presse, godina e sapopërfunduar e “Kabul Star Hotel” është përfshirë nga flakë, ndërsa në ambasadën amerikane, janë dhënë sirenat e alarmit e stafit është zhvendosur në pozicione të sigurta.
Në muajt e fundit, talebanët kanë treguar se janë në forcim të vazhdueshëm, ndërsa ekzistojnë dyshime serioze mbi mundësinë e forcave vendase për të mbajtur në këmbë qeverinë diplomatike, pas tërheqjes së NATO-s në 2014-n.
Afganistan, vritet një ushtar i ISAF
Një ushtar i forcave paqeruajtëse ka humbur jetën të dielën në Afganistanin e lindjes.
Viktima e parë, pas sulmeve të koordinuara, është një ushtar i ISAF-it (që vepron nën komandën e NATO-s). Këtë e bëri të ditur vetë komanda e ISAF në Kabul, pa precizuar nëse viktima kishte lidhje me sulmet e së dielës në Afganistan.
Në një komunikatë të shkurtër theksohet vetëm që vdekja është shkaktuar nga shpërthimi i një bombe elementare.
Top Channel