Gjëmimi që tronditi Britaninë

13/04/2012 10:10

Një shpërthim i fuqishëm, që u dëgjua në një distancë prej më shumë se 100 kilometrash, tronditi disa miliona britanikë gjatë së enjtes.

Gjëmimi u shkaktua nga kalimi i kufirit të shpejtësisë së zërit nga dy avionë ushtarakë, që po fluturonin në lartësi mbi disa zona të banuara.

Ministria e Brendshme konfirmoi se dy avionët e flotës ajrore britanike ishin duke iu përgjigjur një emergjence, pasi piloti i një helikopteri kishte shtypur gabimisht butonin që sinjalizonte një pengmarrje.

Në mënyrë që të shmangej hyrja e helikopterit në një qendër të banuar, avionët “typhoon” u autorizuan që të udhëtonin me shpejtësi supersonike, me urdhër që të rrëzonin mjetin nëse nuk do të kërcënon sigurinë publike.

Kalimi i kufirit të shpejtësisë, në shpejtësinë e 1 225 kilometrave në orë, shoqërohet me një shpërthim, i krijuar nga një fenomen fizik, i shkaktuar nga përplasja e valëve në ajër, në momentin kur kjo shpejtësi tejkalohet.

Momenti në të cilin një mjet udhëton me të njëjtën shpejtësi si ai i zërit, bashkimi i frekuencave sonore shkakton një gjëmim, i cili për veshin njerëzor është i ngjashëm me një shpërthim gjigant.

Për këtë arsye, disa mijëra telefonata u regjistruan brenda pak minutave në komisariatet policore, të cilat sinjalizonin për një shpërthim të ndodhur në një rreze prej mbi 100 kilometrash, nga pika ekzakte ku ndodheshin dy avionët.

Top Channel