Një komando shqiptar ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë, pasi janë ndodhur në mes të një konflikti të armatosur ditën e hënë në provincën e Kandaharit, në Afganistan.
Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes, sipas të cilës dy ushtarakët janë Feti Vogli, komandant i grupit të parë special, dhe Aleksandër Peçi, specialist i armatimeve. Ky i fundit ndodhet në gjendje kome.
Sipas një komunikate për shtyp, komandot shqiptarë janë sulmuar në orën 15:05 me orën lokale nga një grup personash të veshur me uniforma të policisë afgane, teksa shoqëronin personelin e një misioni të USAID në një takim në fshatin Robot në Kandahar.
Në njoftim saktësohet se ndaj tyre është qëlluar me armë automatike të tipit “Kallashnikov” dhe me një mitraloz të lehtë dhe se nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një ushtar nga vendet aleate.
Dy ushtarët kanë marrë plagë të rënda dhe njëri prej tyre ka ndërruar jetë pak më vonë në një spital të Kandaharit, ndërsa tjetri ndodhet në rrezik për jetën. Ndërkohë, grupi në detyrë ka arrestuar 11 atentatorët të maskuar si agjentë.
Përmes njoftimit mësohet se personeli i USAID po shkonte në disa takime, ku do të përuroheshin dy shkolla dhe një qendër shëndetësore në fshatin Robot.
MM: Masa për riatdhesimin e viktimës
Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes ka mbajtur në mbrëmje një konferencë për shtyp, ku ka konfirmuar vdekjen e një prej komandove në Afganistan dhe gjëndjen e rëndë të tjetrit.
Gjatë konferencës, oficeri ka konfirmuar identitetet e ushtarakëve, Feti Vogli dhe Aleksandër Peçi, si dhe i ka shprehur ngushëllimet familjarëve.
“Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura marrin pjesë në hidhërimin e thellë dhe i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Njoftojmë se janë marrë të gjitha masat për kthimin në atdhe të trupit të të ndjerit”, ka deklaruar gjeneral brigade Viktor Berdo.
Hetim ngjarjes në Afganistan
Ministria e Mbrojtjes ka raportuar gjithashtu se do të kryhen hetime në lidhje me misionin në Afganistan dhe shkakun përse u hap zjarr ndaj forcave shqiptare.
Priten shpjegimet nga 11 të arrestuarit, pesë prej të cilëve hapen zjarr, që do të japin të dhëna më të hollësishme në lidhje me zbardhjen e plotë të incidentit.
Misionet paqeruajtëse të forcave shqiptare në Afganistan kanë nisur në vitin 2002, por që nga viti 2011, Shqipëria ka ndërmarrë edhe misione luftarake. Misioni aktual që mban emrin “Shqiponja”, është i katërti që u nis nga Shqipëria muajin e kaluar.
Kush ishte Kapiten Feti Vogli?
Kapiten Feti Vogli, i lindur më 23. maj 1981, në fshatin Baldushk të
rrethit të Tiranës, është i martuar dhe ka një vajzë 2 vjecare.
Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake, në specialitetin Artileri Toksore u
bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e
Stërvitjes të Bazës Bunavi.
Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më datë
16.07.2005 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë
Komandant Grupi.
Nga data 1.06.2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.
Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak kariere i shkëlqyer dhe si
rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje
ndryshme si, Medalja e Karierës. Medalja për Shërbime Ndërkombëtare.
Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.
Nga data 16.012012 është dërguar me mison luftarak “EAGLE 4” në përbërje
të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.
Topi, mesazh ngushëllimi familjarëve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk ka vonuar të shprehte keqardhjen e tij për humbjen e jetës së komandos shqiptar.
Përmes një mesazhi, Topi, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, shprehu “pikëllimin” për këtë humbje të rëndë, si dhe i bëri ngushëllimet e tij familjarëve të viktimës.
“Me keqardhje të madhe dhe pikëllim të thellë, mësova lajmin e hidhur të rënies heroikisht në krye të detyrës të kapitenit Vogli, ushtarak shqiptar i kontigjentit “Eagle 4” në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kandahar, në Afganistan. Në këto momente të rënda e tragjike, më lejoni t’ju shpreh në emër të mbarë shtetit shqiptar ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm!”, është shprehur Topi.
“Më lejoni që si president i Republikës si dhe komandant i përgjithshëm, të jem pranë jush për të ndarë këtë dhimbje të madhe dhe për t’ju shprehur konsideratën më të lartë personale e institucionale për jetën dhe sakrificën sublime të këtyre dy heronjve të Forcave tona të Armatosura!”, vijoi ai.
Komandot, Topi mbledh krerët e FA
Presitendi i Republikës, Bamir Topi ka mbledhur mbrëmjen e së hënës, në Qendrën e Bashkuar Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm, krerët më të lartë të Forcave të Armatosura, për të diskutuar mbi ngjarjen e ndodhur në Afganistan, ku mbeti i vrarë komandoja Feti Vogli.
Lajmi bëhet i ditur përmes një komunikate online të Presidencës, sipas të cilës Topi është informuar për gjendjen e ushtarit të plagosur, Aleksandër Peçi, i cili ndodhet në gjendje kome.
Mësohet se Topi, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të FA, ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me komandantin e njësisë speciale “Eagle 4” në Kandahar, nënkolonel Behar Mara, i cili i ka dhënë detaje mbi sulmin ndaj komandove shqiptarë dhe mbi gjendjen e ushtarakut të plagosur.
Ndër të tjera, Topi ka vlerësuar veprimtarinë e ushtarëve shqiptarë që shërbejnë në Afganistan, në kuadër të luftës kundër terrorizmit, duke theksuar se, “profesionalizmi dhe trimëria e tyre na bëjnë krenarë”.
Kryeministri Berisha, mesazhi i ngushëllimit
Ngushëllime për familjen e kapiten Voglit kanë ardhur edhe nga kryeministri Berisha .
Vepra dhe kujtimi i tij thekson kryeministri Berisha do të nderohet gjithmonë, shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan për të cilin ai flijoi jetën e tij.
Kryeministri Berisha i telefonoi Komandantit të Njësisë në Afganistan, Kolonel Behar Mara, ku i shprehu atij dhe të gjithë efektivit ngushëllimet për rënien si burrat në krye të detyrës të kapiten Voglit, në përmbushje të një misioni fisnik, në kuadrin e Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Afganistan.
Komandanti i ISAF, Gjenerali John Allen i telefonoi Kryeministrit Berisha dhe i shprehu ngushëllimet për Kapiten Voglin.
Rama ngushëllon familjarët: Fetiu u sakrifikua për liri
Pak më vonë ka ardhur edhe reagimi i liderit socialist Edi Rama. “Një familje e zakonshme shqiptare ka humbur djalin në një luftë ku Shqipëria është e angazhuar në emër të NATO-s. Eshtë një humbje që ka rënë si rrufe jo vetëm mbi familjen, por mbi të gjithë ne”, shkruan Rama.
Lideri socialist i ka shprehur familjes së komandos shqiptar ngushëllimet në emër të opozitës dhe Partisë Socialiste, si dhe ka shprehur mirënjohjen për sakrificën e tij në frontin e betejës në Afganistanin e largët.
“Fjalët nuk mund të mjaftojnë dot për ta shprehur si duhet vlerën e sakrificës sublime të Feti Voglit, që fatkeqësisht mbylli sot sytë përgjithmonë duke i shërbyer kauzës së madhe të botës së lirë në luftën me një të keqe që synon asgjësimin e vetë lirisë së botës”, shkruan më tej Rama.
“Shqipëria sot ka një djal të ri më pak, por një arsye tejet të fortë më shumë për ta vazhduar edhe me më shumë vendosmëri betejën e saj krah për krah me Shtetet e Bashkuara e me të gjitha forcat e NATO-s, kundër fashizmit të këtij shekulli që në Afganistan e gjetkë përpiqet të ndërtojë bazat për të terrorizuar e tjetërsuar botën e lirë”, vijon lideri socialist.
“Humbja e rëndë që sot e përjeton me dhimbje të thellë jo vetëm familja e dëshmorit tonë, por mbarë kombi ynë, është nga ato humbje që mbetet përgjithnjë e shënuar në historinë e sakrificave të lavdishme të një vendi”, thuhet më tej në letrën ngushelluese të zotit Rama.
Imami vizitë në familjet e dy komandove
Ndërkohë që në orët e mbrëmjes Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami vizitoi familjet e Feti Voglit dhe Aleksandër Pecit.
Ministri Imami i përcolli ngushëllimet e tij dhe të Forcave të Armatosura, familjes Vogli, ndërsa deklaroi se “Feti Vogli do të kujtohet si dëshmor që nderoi flamurin dhe kombin e tij”.
Ndërkohë që Imami në familjen Peci foli për gjendjen e Aleksandërit, i cili mund të dërgohet në Spitalin Ushtarak në Ramshtajn, të Gjermanisë. Sipas Imamit, gjendja shëndetësore e nëntetarit Peci është shpresëdhënëse.
“Aleksandër Peci ka marrë tre plagë të rënda, por që nuk kanë prekur organet jetësore”, tha Imami.
Lajmi për vrasjen e ushtarakut shqiptar dhe plagosjes së një tjetri është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare.
Topalli, ngushëllime familjes Vogli
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u është bashkuar ngushëllimeve për familjarët e kapiten Feti Voglit, i cili mbeti i vrarë të hënën në Afganistan.
Në mesazhin e saj, kryetarja e Kuvendit ka vlerësuar me nota maksimale heroizmin e ushtarakut shqiptar në shërbim të paqes.
“Kapiten Vogli donte të mbronte paqen për fëmijët afganë. Çdo shqiptari i duket sikur ka humbur një pjesëtar të familjes. Shprehim dhimbjen më të thellë për këputjen e jetës së një heroi shqiptar”, është shprehur Topalli.
Top Channel