Lideri i ri i Koresë së Veriut, Kim Jong un është emëruar zyrtarisht komandanti suprem i forcave të armatosura të vendit, raportojnë mediat shtetërore.
Kim Jong un, që mori pushtetin pas vdekjes së të atit Kim Jong il më herët gjatë muajit, mori detyrën formalisht në një takim të mbajtur të premten, njofton agjencia KCNA.
Lëvizja shihet si një sinjal i qartë se lideri i ri po konsolidon me shpejtësi pushtetin e tij në Korenë e Veriut, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Kim Jong il, që qeveriste vendin që prej vitit 1994, vdiq nga një atak në zemër më 17 dhjetor. Ditën e mërkurë, një funeral madhor u mbajt në rrugët e kryeqytetit, mes motit të ftohtë dhe dëborës.
Sipas KCNA, Kim Jong un mori drejtimin e komandës së Ushtrisë Popullore Koreane në mbledhjen e anëtarëve të Partisë së Punës që u mbajt ditën e djeshme.
Caktimi i tij, që e vë të riun në krye të ushtrisë së katërt më të madhe të botës, u bë në përputhje me testamentin e shkruar nga i ati më 8 tetor, njofton më tej agjencia e lajmeve.
Në deklaratën e saj, KCNA i është referuar për herë të parë atij me termin “Lideri i Madh”, që shihet si një mesazh i qartë i vazhdimit të regjimit të të atit.
Kim Jong il, i njohur në Korenë e Veriut si “Lideri i Dashur”, kishte filluar prej kohësh procesin e kalimit të pushtetit tek i biri, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Pak ditë më parë Kim Jong un u konfirmua në krye të Partisë Komuniste dhe gjithë shtetit koreano-verior, ndërkohë që vetëm të premten, Peniani zyrtar shuajti shpresat e Perëndimit duke deklaruar që të mos presë ndryshim të politikës së regjimit.
Top Channel