Berisha bën bilancin: 2011, një vit plot arritje

28/12/2011 00:00

Kryeministri Sali Berisha doli para mediave për të bërë analizën vjetore të punës së qeverisë. Kryeministri do ta niste përmbledhjen e tij me ngjarjet, sic i quajti ai, të fillimvitit, referuar 21 Janarit, ku para kryeministrisë humbën jetën katër protestues të opozitës.

Ngjarja, sipas kryeministrit, ishte një test për funksionimin e ligjit dhe vërtetoi funksionimin e kushtetueshmërisë.

“Viti 2011 filloi me disa probleme të caktuara krejtësisht të pamotivuara, pa asnjë arsye ligjore, ngjarje të cilat vunë në testim funksionimin e kushtetuetshmërisë së vendit, ngjarje të cilat morën përgjigjen më kushtetuese të mundur. Shqipëria u faktua si një vend i shtetit ligjor për të dhënë mesazhin se në këtë vend askush s’mund të rrëzojë një qeveri të zgjedhur me votë të lirë, askush s’mund të marrë pushtet me dhunë”, deklaroi kryeministri Berisha.

Duke vijuar më tej, zoti Berisha u ndal tek zgjedhjet e 8 majit, një tjetër datë kulmore në jetën politike në vend, me përplasje të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.

“Zgjedhjet e 8 majit, pavarësisht nga zhurma dhe përpjekjet, ngadhënjeu rendi kushtetues i këtij vendi, e drejta e qytetarëve për të votuar dhe për t’iu vlerësuar e numëruar vota. Në këto zgjedhje institucionet kushtetuese kaluan një nga testet më serioze për cdo vend demokratik për shkak të ngushtësisë së garës. Direktivat e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR faktojnë qendrimin e drejtë që ne mbajtëm duke mbrojtur ato parime që nuk mund të shkelen kurrë. Mund të kishte ndonjë zbrasti të lehtë ligjore, por nuk kishte asnjë mangësi në parimet që ne mbrojmë. Fakti është se këto zgjedhje janë zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi që vlerësohen si kompetitive dhe transparente”, vijoi kryeministri.

I pyetur lidhur me reformën zgjedhore, kreu i qeverisë rikonfirmoi gatishmërinë e mazhorancës për të mirëpritur propozimet e opozitës. Berisha kujtoi se para zgjedhjeve i kishte ofruar opozitës mundësinë për ta hartuar vetë ajo Kodin Zgjedhor, por refuzimi sipas tij erdhi pasi PS e dinte që do të dilte e humbur.

“I ofrova opozitës, në rast se dëshironte, ta hartonte vetë të gjithë kodin dhe ta votonim në Parlament pa asnjë kusht, pasi të merrte viston nga Komisioni i Venecias dhe OSBE. Por opozita e refuzoi këtë. Pse e refuzoi, ka ofertë më bujare se kjo? Por e refuzoi sepse e dinte që do të humbiste zgjedhjet dhe do të bëhej qesharake para gjithë botës, pasi do të humbiste me kodin e zgjedhur vetë. Kam bindjen më absolute se reforma do të bëhet plotësisht me konsensus, por do të kisha pranuar edhe nëse ata do të kishin dashur ta bënin vetë”, deklaroi Berisha.

Tjetër arritje madhore të qeverisë dhe institucioneve, Berisha përmendi regjistrimin e popullsisë, që sipas tij, faktoi që Shqipëria dhe shqiptarët po ecin më shpejtësi drejt zhvillimit, megjithëse ky proces u kritikua ashpër nga shoqëria civile dhe Aleanca Kuq e Zi.

“Censusi u zhvillua i plotë dhe në liri të plotë. Që nga krijimi si shtet, 99 vjet më parë, Shqipëria ka sot fotografinë më të bukur të qënies së saj kombëtare dhe materiale. Për herë të parë shqiptarët u regjistruan me teknologjinë më të avancuar të kohës. Rezultatet e para janë historikë dhe faktuan se ky vend po ecën më shpejtësi drejt zhvillimit, faktuan se shqiptarët në këto 10 vite ja kanë dalur të ndërtojnë shtëpi për veten e tyre më shumë se të gjitha kombet e tjera në 20 vite të marra së bashku”, shtoi Berisha.

Një tjetër moment ku kryeministri u ndal, ishte refuzimi i statusit të vendit kandidat. Mosarritjen e këtij objektivi, kryeministri ia faturoi opozitës, e cila sipas tij bllokoi votimin e ligjeve të hartuar me ekspertë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

“Shqipëria nuk mori këtë vit statusin e kandidatit sepse opozita në një akt të paprecedent në historinë e Europës vendosi të përdorë votën e vet për të bllokuar ligjet, ligjet që u hartuan me ekspertët më të mirë të BE-së dhe SHBA. Nuk u votuan sepse opozita në një qendrim politik të verbër, mendoi se duke bllokuar votimin e tyre do dëmtonte qeverinë dhe t’i faturonte asaj dështimin e refuzimit të statusit të kandidatit. Por kjo u zgjidh nga shqiptarët me votën e tyre në 8 maj”, vijoi lideri i mazhorancës.

Duke u rikthyer në aktualitetin politik, ku situata mes mazhorancës dhe opozitës është më e çtensionuar në krahasim me shumë muaj më parë, lideri i mazhorancës vlerësoi rinisjen e punës dhe bashkëpunimit parlamentar e këtë e ilustroi me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, një propozim ky i PS-së, pak ditë më parë. Berisha premtoi angazhimin e qeverisë së tij për bashkëpunim me këtë institucion për të përmbushur funksionet e tij në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Kryeministri më tej vlerësoi si arritje të qeverisë dhe reformave të ndërmarra prej saj rritjen e eksporteve me 2 herë më shumë në krahasim me vitin 2009, mbajtjen e borxhit nën kontroll, realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve me përpikëmëri, turizmin dhe investimet e suksesshme ne infrastrukturën rrugore.Gjithashtu, ai mbrojti ligjin për mbetjet duke thënë se ai mbron vendin nga mbeturinat e rrezikshme.

Ndërsa pyetjes së Top Channel lidhur me qëndrimin e tij ndaj cështjes së presidentit, Berisha iu përgjigj duke theksuar se do të respektojë tërësisht Kushtetutën dhe statusin që ajo i jep kreut të shtetit. 

“Presidenti? Kam deklaruar se do të respektohet Kushtetuta, që përcakton me saktësi statusin e tij. Cdo koment jashtë kuadrit kushtetues është absolutisht joproduktiv. Respektimi i Kushtetutës është një shtyllë jetike për funksionimin e një republike. Kjo shtyllë është konsoliduar gjithnjë e më shumë. Presidenti nuk është një karrike për partitë, presidentit i thotë qartë Kushtetuta se cfarë duhet të bëjë”, nënvizoi më tej Berisha.


Për kryeministrin Sali Berisha viti 2011 ishte viti i suksesve të mëdha në të gjitha fushat. Në analizën e fundvitit ai renditi më shumë se 10 cështje si më të rëndësishmet, ku pjesën më të madhe e zuri ekonomia dhe ecuria financiare e shtetit.

Sipas kryeministrit për meritë të shqiptarëve dhe reformave ekonomike Shqipëria ka ecur përpara me zhvillimin, ku spikatin dyfishimi i eksporteve, rritja e turizmit në 4 milionë vizitorë turistë, ndërtimi i infrastrukturës ku 1400 km të reja janë në ndërtim, projekti bujqësor për mbjelljen e drurëve frutore dhe arrorëve dhe subvencioni i 2000 ha me këto produkte, si dhe rritja e investimeve të huaja.

Emëruesi i përbashkët i këtyre zhvillimeve sipas kryeministrit Berisha është përdorimi i pasurive kombëtare në interes të shqiptarëve me qëllim rritjen e mirëqënies së tyre.
 
“Kur Zoti e bëri këtë vend, e bëri Zvicër me det, Norvegji me ujë dhe Kaliforni për klimën, pavarësisht se koha nuk lejoi të marrë shkëlqimin e vet”, tha kryeministri Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA