Negociuesi i dialogut të Brukselit Robert Cooper në një intervistë për
“Vecernje novosti” deklaron se marrëveshja për përfaqësimin rajonal
është shumë afër pranimit nga të dy palët, por sipas tij kanë mbetur
edhe disa çështje të hapura lidhur me të, të cilat mund të jenë të
vështira.
Ai ka deklaruar se askush nuk do t’ia imponojë Serbisë pranimin e Kosovës e as ndryshimin e Kushtetutës së saj, ndërsa sipas tij duhet të gjendet mundësia që duke respektuar qëndrimin zyrtar të Serbisë, të mundësohet bashkëpunimi praktik.
Cooper është shfaqur i pakënaqur, citon gazeten Kosovatimes, lidhur me rezultatet e dialogut, duke thënë se sikur ky proces të niste përsëri nga fillimi, shumë gjëra do t’i bënte ndryshe.
Negociatori ka folur edhe për tensionet që krijohen kur afrohet nënshkrimi i marrëveshjeve, ndërsa ka shtuar se këto nënshkruhen kur të dy palët i tejkalojnë vijat e tyre të kuqe.
Është normale që kur arrihet ndonjë marrëveshje të gjithë janë të lodhur, të tensionuar, nervozë, gjithçka u vjen në majë të hundës, por nëse këto marrëveshje funksionojnë, pas dhjetë vjetësh askush nuk do t’i kujtojë problemet”, ka thënë Cooper.
Ai ka thënë se duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve të veriut nga Prishtina, Beogradi e Brukseli, por është vështirë të dëgjohet ky zë, kur njerëzit qëndrojnë nëpër barrikada, brohorasin parulla dhe gjuajnë me gurë.
Top Channel