Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic ka deklaruar se Serbia nuk mund të
hyjë në BE pa njohur Kosovën, gjë të cilën atij ia kanë bërë të qartë
homologë të disa vendeve perëndimore.

“Katër ministra të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian më kanë thënë se Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së përderisa edhe formalisht nuk e pranon pavarësinë e Kosovës”, ka pohuar Jeremic për mediat serbe.

Shefi i diplomacisë serbe ka nënvizuar se vendet e fuqishme evropiane e kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre që Serbia të pranojë planin e Ahtisarit dhe në fund të njohë pavarësinë e Kosovës, “në kuptimin e plotë të kësaj fjale”.

Jeremic ka theksuar se më 9 dhjetor Serbisë iu refuzua dhënia e statusit të kandidatit për shkak se nuk pranoi të hiqte dorë nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit.

“Kemi treguar fleksibilitet të madh dhe gatishmëri për të gjetur një zgjidhje në dialogun me Prishtinën, por nuk mund të pranonim kurrësesi një kërkesë të tillë”, ka thënë Jeremic.

Serbia më 9 dhjetor nuk mori statusin e kandidatit për në BE për shkak të refuzimit të Gjermanisë dhe Austrisë, pas sulmit të ushtarëve të KFOR-it nga ekstremistët serbë në veri të Kosovës.

Beogradi deklaroi menjëherë se dështimi kishte ardhur pasi Brukseli kishte kërkuar njohjen e shtetit të Kosovës, akuzë kjo që u përgënjeshtrua më vonë nga komisioneri Shtefan Fyle.

Unioni i ka dhënë mundësi Serbisë që statusin e kandidatit ta fitojë në mars të vitit të ardhshëm, por kjo nëse implementon marrëveshjet e arritura në dialogun për cështjet teknike me Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA