Kryeministri Sali Berisha po merr pjesë në Kongresin e 20-të të Partisë Popullore Europiane, grupimi i partive të qendrës së djathte dhe më me ndikim sot në Bashkimin Europian.
Në Kongresin, që po zhvillohet në Marsejë të Francës nga i cili do të dilet me qëndrimin për të cuar Europën përpara në këtë kohë krize, gjatë fjalimit të tij, kryeministri Berisha theksoi ndryshimin e dy filozofive të së majtës dhe të së djathtës në Shqipëri.
“Gjatë këtyre 20 viteve, vendi ka provuar si socializmin, ashtu edhe të djathtën e qendrës. Do t’ju jap disa të dhëna për këtë. Shqipëria, gjatë qeverisjes socialiste, në vitet 1997-2005, ka pasur 38 milion dollarë investime të huaja direkte. Vitin e kaluar ishte i vetmi vend në rajon me një rritje të investimeve të huaja direkte, 1 miliardë e 97 milionë dollarë amerikanë”, tha kryeministri ndërsa shtoi:
“Shqipëria është një vend shumë i bukur, por në vitin 2004 pati gjithsej 300 mijë turistë dhe vizitorë, ndërsa vitin e kaluar vendi im pati 3.5 milionë turistë. Ekonomia e Shqipërisë mbytej nga taksat e larta dhe informaliteti. Pasi vendosëm taksën e sheshtë prej 10%, dhe ulëm shumë lloje taksash, rezultati ishte: në vitet 2006-2010, ne mblodhëm rreth 7 miliardë dollarë më shumë se qeveria e mëparshme. Të ardhurat në katër vite nga doganat dhe taksat u dyfishuan”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha u tha homologëve të tij të qendrës së djathtë, të mbledhur në Marsejë nga e gjithë Europa, se integrimi i vendit në Bashkimin Europian është projekti i shekullit për Shqipërinë.
Kryeministri Berisha nuk hezitoi të bëjë përgjegjës liderin e opozitës Edi Rama për bllokimin për dy vjet të statusit të vendit kandidat, pasi ai nuk njohu rezultatin e zgjedhjeve, që sic citoi kryeministri raportin e OSBE/ODIHRIT u cilësuan që përmbushën shumicën e standardeve dhe nuk pati prova për manipulim.
“Projekti i integrimit të Shqipërisë në BE është i vetmi projekt madhor për vendin tim. Opozita, pasi humbi zgjedhjet lokale, me një humbje shumë të gjerë, pranoi ekzaktësisht atë çfarë unë u kisha ofruar përgjatë dy viteve. Por, përgjatë dy viteve statusi u bllokua, sepse ata kurrë nuk pranuan të votonin asnjë reformë të BE në parlament. Ata nuk pranuan të votojnë në parlament. Megjithatë, tani falë zgjedhësve shqiptarë, jeta i është kthyer normalitetit, mësimet u nxorën dhe ju siguroj se ne mbetemi të angazhuar dhe do të qëndrojmë me principet që ndajmë së bashku”, vazhdoi Berisha.
Gjatë qëndrimit në Marsejë Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Kryeministrave të Partisë Popullore Europiane, që i paraprin mbledhjes së Këshillit Europian. Ndërsa të premten kryeministri Berisha do të jetë në Paris, ku do të takohet me Kryeministrin francez, Fransua Fijo.
Top Channel