Al-Assad: Asnjë përgjegjësi personale për vrasjet

07/12/2011 15:15

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, deklaroi se nuk ndien asnjë përgjegjësi personale për vrasjen e më shumë se 4 mijë sirianëve, në përballjet dhjetë-mujore me forcat e tij të sigurisë.

Në një intervistë të dhënë të mërkurën për rrjetin e madh amerikan “ABC”, lideri autoritar u shpreh se ai nuk zotëron as forcat e sigurisë dhe as vendin, por pranoi se janë bërë gabime në mënyrën se si autoritetet janë ballafaquar me krizën.

”Unë kam bërë më të mirën për të mbrojtur njerëzit, prandaj nuk ndiej asnjë faj në ndërgjegje. Më vjen keq për jetët që janë humbur, por nuk mund të ndihesh fajtor kur nuk ke vrarë asnjeri”, deklaroi Assad gjatë një pjese të intervistës së tij.

”Ne nuk kemi vrarë njerëzit tanë. Asnjë qeveri në botë nuk vret popullsinë e saj, në rast se nuk udhëhiqet nga ndonjë njeri i çmendur dhe unë nuk jam i tillë. Nuk ka patur asnjë urdhër për të vrarë apo për të shtypur në mënyrë brutale protestat. Unë nuk jam pronar i forcave të sigurisë. Vërtet jam president, por kjo nuk do të thotë se Siria është prona ime”.

Në një tentativë për të përmirësuar reputacionin e tij në sytë e opinionit ndërkombëtar, Assad theksoi se nëse ka patur viktima, ato janë shkaktuar nga gabimet e ndodhura në terren dhe jo sepse ka një politikë të qeverisë për këtë.

Duke sfiduar vlerësimin e OKB-së se në Siri janë kryer krime kundër njerëzimit, Assad tha se raportet janë “shumë larg të vërtetës”. Ai nuk konfirmoi as vlerësimin për 4 mijë viktima gjatë dhjetë muajve të dhunës që ka përfshirë vendin.

Zyrtarisht, Siria akuzon bandat e armatosura dhe militantët për të gjithë konfliktet e ndodhura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA