Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore filloi punë në një mjedis mirëkuptimi, duke vazhduar të japë sinjale pozitive se fryma e konsensusit vazhdon.
Megjithatë, palët janë të kujdesshshme për të mos e tepruar me entuziazmin, gjë që u shfaq qartë në fjalimin përshëndetës dhe inkurajues të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo e konsideroi suksesin e reformës zgjedhore një gur prove për partitë politike.
“Kjo reformë parlamentare është një gur prove për partitë politike sepse është rasti që çdo parti politike të dalë jashtë interesave të saj të ngushta, të kapërcejë mbi interesat e çdo partie, e madhe apo e vogël, e majtë apo e djathtë, për të arritur kompromise në funksion të standardit më perfekt të reformës”, deklaroi Topalli.
Vendimet e para konsensuale të komisionit ishin vendime teknike, përfshirë edhe ngritjen e grupit të eksperteve. Sic konfirmon bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, është ende herët të flitet për diskutimin e cështjeve konkrete, por ato do të jenë shumë shpejt në tryezën e komisionit.
“Në përmbajtje akoma nuk kemi hyrë, por shumë shpejt do të nisë puna në lidhje me cështjet konkrete, të cilat duhet të adresojë ky komision. Cështjet konkrete tashmë dihen. Janë të gjitha ato problematika dhe rekomandime që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri, të cilat po diskutohen prej vitesh”, tha Gjiknuri.
Sic ka dalë edhe nga kontestimet pas zgjedhjeve, cështjet madhore që ka përpara për zgjidhje komisioni për reformën e Kodit Elektoral kanë të bëjnë me administratën zgjedhore, vecanërisht me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe me procedurat e votimit dhe numërimit të votave.
Ndërsa për partitë e vogla, cështja ndoshta e vetme e interesit është sistemi zgjedhor. Por, Gjiknuri lë të kuptohet se kjo cështje nuk është e afërt në axhendën e komisionit, ku demokratët dhe socialistët kanë të drejtën e vetos.
“Sistemi zgjedhor është një cështje që do të diskutohet në vazhdim dhe presim edhe propozimet e partive të vogla. Kur të jetë momenti, ato do të vijnë në tavolinë dhe diskutimi do të hapet”, saktësoi Gjiknuri.
Mbledhja e parë e komisionit për reformën zgjedhore është monitoruar nga përfaqësitë më të rëndësishme diplomatike në vend; ambasada e Shteteve të Bashkuara, Komisioni Europian, ambasada britanike dhe OSBE-ja, të cilët janë të gatshëm për asistencë dhe për të inkurajuar besimin mes palëve që reforma zgjedhore të ketë sukses.
“E rëndësishme është që ata komunikojnë me njëri-tjetrin, ndërtojnë besim tek njëri-tjetri. Unë pash që ka vullnet të mirë dhe aty ku ka vullnet të mirë ka një rrugë për të ecur përpara me konsensus, konsensus i cili duhet zhvilluar dhe forcuar më tej. Po ashtu, edhe idetë duhen draftuar, por kam besim se gjithcka do të funksionojë”, deklaroi ambasadori Wollfarth.
Shumë më konkrete dhe direkte ishte ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham, e cila nëpërmjet një deklarate, e cilësoi punën e komisionit për reformën zgjedhore dhe refomën parlamentare si jetike për demokracinë dhe për të cuar përpara procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Sipas ambasadores britanike, deputetët e këtyre komisioneve, por edhe kryetarët e partive të tyre, kanë një mundësi për të provuar se skpetikët janë gabim dhe se ata janë të angazhuar për reformat demokratike.
“Fotot e rastit, shtrëngimet e duarve, apo fjalët, nuk do të mjaftojnë. Nëse Shqipëria do që të arrijë statusin kandidat, ky është momenti që partnerët dhe miqtë nga Bashkimi Europian të shohin progres urgjent dhe të besueshëm në këto reforma kyçe”, theksoi ambasadorja e Britanisë së Madhe.
Edhe presidenti Bamir Topi inkurajoi komisionin e reformës zgjedhore për hartimin e një kodi sipas standarteve europiane dhe në kohën e duhur.
“Duke e miratuar në kohë, pastaj palët do ta kenë më të thjeshtë për t’u njohur edhe me infrastrukturën zgjedhore. Dhe më së fundi, të kemi mundësi që të shkojmë në zgjedhje, që shpresoj që të mos kontestohen më”, nënvizoi Topi.
Diskutimi i komisionit për reformën zgjedhore do të tentojë trajtimin e mbi 50 rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, që, për shkak të kontestimit të disa proceseve elektorale, Shqipëria, jo vetëm nuk ka luksin e injorimit të tyre, por ka edhe detyrimin e zbatimin e tyre.
Deri tani palët janë të rezervuara për optimizëm, por si fillim po tregojnë vullnet të mirë bashkëpunimi. “Jam optimist apo pesimist? E rëndësishme është që nisëm nga puna. Kur ka vullnet, ka mundesi edhe për sukses. Kaq mund të them”, u shpreh Gjiknuri.
Top Channel