Pazari me zgjedhjet në qarqe

26/10/2011 00:00

Rezultati që prodhuan zgjedhjet e 8 Majit ishte një fitore e koalicionit të majtë në 34 bashki, ndërsa ai i djathtë 31 bashki.

Në 12 bashkitë e mëdha të vendit, 6 prej tyre, supozohej të kishin shumicë të majtë në këshillat e qarkut, ndërsa 6 të tjera shumicë të djathtë. Të paktën në letër, pasi zhvillimet që rrodhën me konstituimin e këtyre këshillave prodhuan rezultate të tjera, ku palët risollën në skenë, skenarët e blerjes së këshilltarëve nga një koalicion i majtë, në të djathin.

Rasti më i fundit dhe më flagranti ai në Vlorë, ku pas 8 majit pjesa dërrmuese e njësive vendore në rang qarku u fituan nga “Aleanca për të Ardhmen” dhe për Këshillin e Qarkut pati një ndarje mandatesh 36 me 23 në favor të opozites, por ndryshimi i konfigurimit të votave, solli fitoren e Anesti Dhimojanit, kandidat i “Aleancës për Qytetarin”.

15 këshilltarë nga koalicioni i majtë do të votonin për kandidatin e djathtë duke e prishur raportin nga 36 me 23 në favor të së majtës, në 37 me 22 për të djathtët duke rikonfirmuar për herë të dytë mandatin e marrë nga PD-ja, për drejtimin e këtij qarku.Të kontaktuar përmes telefonit deputetët socialistë të qarkut Vlorë pohohuan se janë ne proces analize të asaj që ndodhi, pa dhënë detaje.

I njëjti skenar u ekzekutua me sukses edhe në qarkun e Beratit, ku këshilltarët e opozitës në konstituimin e Këshillit të Qarkut përbënin shumicën, 27 anëtarë këshilli, nga 24 që kishte “Aleanca për Qytetarin”.Por pas votimit të fshehtë të 51 anëtarëve të këshilltarëve të qarkut, Petrit Sina që kandidontë nën siglen e LSI, mori 27 vota, kundrejt 24 votave që mori Pelivan Shatri.

Deputeti socialist i këtij qarku, Erion Brace akuzon Lëvizjen Socialiste për Integrim, për blerjen e 3 këshilltarëve socialistë.

“Ajo që unë paralajmërova për Beratin vinte nga të dhëna të drejtpërdrejta në terren, ku Ilir Meta si kryetar i LSI-së, pas një marrëveshje me Sali Berishën, për të konkurruar përfaqësuesi i tij për Këshillin e Qarkut dhe më pas e zgjeruar tek Nasip Naco, ministri dhe deputeti i LSI-së në qarkun e Beratit, për të zgjidhur problemet personale të secilit prej individëve të zgjedhur, që ishin pjesë përbërëse e atij kuorimi. Dhe ndodhi ajo që ishte parashikuar, presioni kriminal i ministrave prezentë aty, Nasip Naco dhe Genc Pollo dhe natyrisht deformimi thelbësor i disa njerëzve që kërkonin thjesht dhe vetëm të zgjidhnin problemet personale, solli atë deformim të rezultatit në Këshillin e Qarkut të Beratit”, tha Brace.
 
Në mbledhjen e Këshillit të Qarkut të Fierit, në datën 22 shtator, u votua për kryetarin e ri të Këshillit të Qarkut. Pas votimit kandidati i socialisteve Vangjel Ndreka, mori 53 vota, ndërsa ai demokrat, Artur Shehu, 42 vota. Por ky votim përfundoi në gjykatë duke u shpallur jo legjitim, ndërkohë konstituimi këshillit të qarkut të Fierit ka përfunduar në apelin e Vlorës.

Deputeti socialist i këtij qarku Albert Caci hedhë dritë mbi prapaskenat e situatës së krijuar.

“Përmes segmenteve të drejtësisë eshte bërë pezullimi i aktivitetit të qarkut dhe sot që flasim qarku i dytë më i madh në Shqipëri nuk funksionon për shkak të vendimit të gjykatës. Kjo i ka dhënë mazhorancës të fitojë kohë dhe të nisin një proces të paparë blerjesh të këshilltarëve. Meqë nuk arriti dot të blejë këshilltarët e zgjedhur në qark, ka nisur të zbresë një vend më poshtë dhe në të 44 njësitë e qarkut të Fierit ka nisur një proces shitblerjesh, duke u hequr të drejtën anëtarëve të Këshillit, të cilët nuk kanë as një muaj që janë zgjedhur. Kjo është një maskaradë”, tha Caci.

Por cfare ndodh? Perse keshilltaret e majte papritmas gdhihen nje dite djathtas? Erjon Brace kërkon një reflektim nga PS por edhe forcimin e një sërë rregullash të brendshëm, që garantojnë jo vetëm mendimin ndryshe, por edhe që ndëshkojnë veprimin ndryshe, në kundërshtim me interesat e PS-së dhe qytetarëve që e votojnë atë.
Këto zhvillime në gjirin e së majtës a tregojnë një dobësi dhe corganizim të PS?  Nënkryetari grupit parlamentar të PS Erjon Brace nuk mendon kështu.

“Tashmë i gjithë ky proces është ngritur në sistem, që natyrisht gjen të cara në vendimmarrjen edhe të Partisë Socialiste, por mbi të gjitha drejtohet dhe orientohet nga ai që sot abuzon me pushtetin dhe që është Sali Berisha dhe në krah të tij, Ilir Meta. I gjithë ky sistem kërkon të zëvendësojë votën e popullit me blerjen e përfaqësuesve nëpër kuorume të tilla me kufi të përcaktuar”, tha Brace.

Beteja per marrjen e drejtimit te qarqeve me cdo kusht ka ne baze luften politike per te marre ne dore menaxhimin e fondeve publike dhe vendeve te punes. Fenomeni, pervecse nxjerr ne drite blerjen apo shitjen e keshilltareve, nga ana tjeter tregon se sa ka rene vlera votes se qytetareve qe mandatojne nje force apo koalicion politik per t’u qeverisur nga nje tjeter.

Vlorë

Përpara votimit

AA 36 këshilltarë
AQ 23 këshilltarë

Pas votimit

AA 22 vota
AQ 37  vota

Berat

Përpara votimit

AA  27 këshilltarë
AQ 24   këshilltarë

Pas votimit

AA 24   vota
AQ 27   vota

Fier

Përpara votimit

AA  56 këshilltarë
AQ 40   këshilltarë

Pas votimit

AA 53  vota
AQ 42   vota
1 votë e pavlefshme

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA