Ministrat e Financave të 20 vendeve më të industrializuara në botë janë
mbledhur në Paris, me qëllimin që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët
për krizën e borxheve brenda Eurozonës.
Ndërsa Greqia mbetet në fokus, ekziston frika se dy prej ekonomive më të mëdha europiane, ajo italiane dhe spanjolle, mund të jenë pranë një kolapsi me pasoja katastrotike për të gjithë Europën.
Athina zyrtare ka bërë të ditur se ka nevojë të domosdoshme për një këst të ri kredie për muajin e ardhshëm ose ndryshe duhet të ndërpresë të gjithë shpenzimet buxhetore, përfshi edhe pagat e administratës e pensionet.
Nga ana e saj, Spanja u godit nga tjetër zhvlerësim i normës së kreditimit të enjten. “Standart & Poor” uli për të dytën herë brenda javës këtë standart, duke cituar rritjen e ulët ekonomike dhe borxhet e mëdha në sektorin privat, si arsyet për këtë ndryshim.
Në të njëjtën ditë, kompania tjetër vlerësuese financiare, “Fitch”, uli normat e kreditimit të dy bankave britanike “Lloyds” e “RBS”, si dhe zviceranes “UBS”.
Pavarësisht krizës, Ministrat e Financave të G20-s duket optimistë përpara takimit që do të zhvillohet pasditen e sotme në kryeqytetin francez, kjo edhe si pasojë e një rimëkëmbje të bursave ndërkombëtare.
Pritet që përfaqësuesit e ekonomive europiane të përpiqen të gjejnë një marrëveshje me drejtuesit e financave ruse, braziliane, indiane, kineze dhe afrikanojugore, për të devijuar më shumë fonde nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në Eurozonë.
Megjithatë, ekspertët presin që çfarëdo strategjie madhore të shpallet vetëm pas 23 tetorit, kur liderat e vendeve të Bashkimit Europian të takohen.
Top Channel