Kina, presion Sirisë për reforma

11/10/2011 15:30

Kina i bëri thirrje Sirisë që të përshpjetojë reformat e nisura nëse nuk dëshiron të vendosë në provë durimin dhe përkrahjen e Pekinit zyrtar ndaj regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Zëdhënësi i Ministrit të Jashtëm, Liu Weimin, u shpreh se “Kina nuk dëshiron të shohë më gjakderdhje, konflikte dhe viktima të reja”.

Disa ditë më parë ishte Rusia ajo që bëri një thirrje të tillë. Reagimi i dy superfuqive ishte i çuditshëm, duke patur parasysh që ishte pikërisht vetoja e tyre që bllokoi në OKB një rezolutë që dënonte shtypjen me dhunë të protestave në vendin e madh arab.

Moska dhe Pekini theksojnë se rezoluta e hedhur poshtë prej tyre nuk jepte garanci për mosndërhyrjen ushtarake, të ngjashme me atë të Libisë, por kjo nuk do të thotë se ata nuk dënojnë ngjarjet e dhunshme dhe viktimat e larta midis popullësisë civile.

”Ne besojmë që qeveria siriane duhet të përshpejtojë zbatimin e reformave të premtuara dhe të nisë sa më shpejt një process që do të përfshijë të gjithë aktorët e interesuar politikë. Kina beson se dialogu është i vetmi mjet që mund të sjellë qetësi në vend”, u shpreh Liu Weimin përpara gazetarëve.

Ekspertët e kanë cilësuar si të rrallë deklaratën e autoriteteve kineze, të cilat zakonisht preferojnë të mos prononcohet gjatë ngjarjeve të tilla, për “të mos ndërhyrë në punët e brendshme” të shteteve të tjera,

Javën e shkuar, presidenti Medvedev deklaroi nga Moska se: “Rusia dëshiron po aq sa vendet e tjera që gjakderdhja në Siri të përfundojë. Nëse lidershipi sirian nuk është në gjendje të garantojë paqe, atëherë duhet të largohet, por këtë vendim nuk duhet ta marrë as NATO dhe as BE, por vetëm populli sirian”.

Top Channel