Historiani Pëllumb Xhufi, duke folur në emisionin “Shqip” mbi censusin që po realizohet, kritikoi mënyrë se si po realizohet ky regjistrim i popullësisë. Sipas tij, shteti ka rënë pre e presioneve të palës greke, për të përfshirë në formular dy pika që jo vetëm janë të dëmshme për shtetin, por mbi të gjitha antikushtetuese.
”Unë nuk jam kundër censusit, por ky regjistrim me të drejtë ka ngjallur debate. Problemi është që askush nuk na i ka vënë si kusht dy pyetjet për etninë dhe fenë. Për më tepër, shteti i ka të qarta statistikat për minoritarët, pasi çdo 1-2 vjet paraqesim raporte për trajtimin, shkallën e realizimit të të drejtave të tyre. Mbi këto raporte janë hapur shkollat në gjuhën e huaj, shkollat greke apo malazeze në veri, ndërsa regjistrimi themeltar është akoma më i saktë”.
Për historianin Xhufi, nuk është e vështirë të arrish në përfundime. “Është e qartë që shteti ka rënë në prenë e presionit të ushtruar nga pala greke. Ministria e tyre ka kohë që e përgatit këtë dhe bën lobime edhe në Bashkimin Europian. Kjo ka dalë qartë edhe në debatet publike që ka bërë Kryeministri në Parlament, me drejtuesin e PBDNJ-së, Vangjel Dulen”.
Sipas Xhufit, dy pyetjet e fundit të censusit jo vetëm që nuk janë normale, por janë edhe antikushtetuese. Ai rikthen në vëmendje një vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2009, kur argumenton se: “Gjykata hodhi poshtë pikërisht mundësinë që njerëzit të vetëdeklaroheshin, duke e quajtur se binte ndesh me kushtetutën. Si mund të jetë sot i ligjshëm ky regjistrim, kur vetë gjykata e rrëzoi”.
Lame: Një census i turpshëm dhe qesharak
Publicisti dhe ish-funksionari i shtetit shqiptar, Artan Lame, sulmoi edhe ai si “qesharak” censusin që është duke u realizuar, ndërsa nuk fshehu revoltën e tij të brendsme për këtë që po ndodh.
“Si qytetar, mendoj se e vetmja frikë që të nderon është ajo nga ligji. Prandaj e kam të vështirë të flas kështu si po flas, por ky shtet nuk e meriton seriozitetin e qytetarëve të tij në këtë regjistrim. Nuk e kam me personat që po na trokasin në derë, pasi të gjithë ata vetëm sa bëjnë detyrën e tyre, por është irrituese të shohësh se pavarësisht të gjitha fushatave që u bënë kundër censusit, shteti bëri veshin e shurdhët. Si ka mundësi që një qeveri, çfarë do qeverie qoftë, të injorojë tërësisht gati të gjithë popullin e saj”, pyetja therëse e Lames.
Publicisti, shkon më tej duke shprehur mendimin e tij se i gjithë regjistrimi është bërë vetëm në funksion të dy pyetjeve të fundit qesharake. “Jo vetëm që censusi është i palogjikshëm, por unë kam bindjen se ai është bërë i gjithi në funksion të dy pyetjeve të fundit. Nëse nuk do të ishte për to, s’do të kishte fare vlerë, sepse pyetjet e tjera janë gjëra banale në thelb. Nuk më vjen mirë të ftoj njerëzit në mosbindje civile, por unë kam shkruar kodra mbas bregut, kam shkruar që jam budist, etj. i ftoj të gjithë të veprojnë kështu. Të jeni të bindur që me etninë dhe fenë, nëse rezultatet dalin ashtu siç parashikohet të dalin, atëherë do të marrim një rezultat që ju garantoj se do ta vuajmë në kurriz për të paktën nja 70 vjet të tjerë”.
Duke ashpërsuar tonet, Lame theksoi: “Kjo nuk është një nga vjedhjet e zakonshme dhe fatkeqësisht të shumta që kanë ndodhur në dekadat e fundit në Shqipëri. Këtu nuk abuzohet me diçka për të fituar, por po shitet trualli shqiptar, po bëhet një mëkat historik, që shqiptarët do ta qajnë për shumë kohë. Për mua, po përsëritet ajo që ndodhi me Ahmet Zogun, i cili do të mbahej pa dyshim mend si një figurë e madhe e historisë së Shqipërisë, nëse s’do të kishte shitur Shën Naumin”.
INSTAT: Censusi, në koordinim me EUROSTAT
INSTAT për menaxhimin e procesit të censusit ka vepruar dhe po vepron në bashkëpunim me zyrën evropiane të statistikave, EUROSTAT.
Kështu ka deklaruar drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja gjatë emisionit “Shqip” në Top Channel.
“Është një liber rekomandimesh për INSTAT, për të gjithë censusin. Është produkt i EUROSTAT, ku shpjegohen pyetjet që duhet të përmbajë ky pyetësor”, ka deklaruar Nurja.
“INSTAT ka punuar tre vjet dhe qëllimi i pyetjes së anketuesve është të njohin sa më mirë zonën ku banojnë”, ka nënvizuar ajo.
Më tej drejtuesja e institucionit të statistikave ka dhënë garancinë e saj për sigurinë e informacioneve të mbledhura gjatë procesit të regjistrimit.
“Nuk i druhemi fare falsifikimit, pasi punonjësit janë të trajnuar dhe dinë se si t’i bëjnë pyetjet. Është një piramidë e tërë që punon këtë gjë dhe pas tre javësh do kemi një përgjigje se si ka shkuar procesi”, ka theksuar Nurja.
“Të dhënat janë konfidenciale dhe mbrohen me ligj. Nuk është hera e parë që INSTAT kryhen hetime të tilla dhe asnjëherë nuk kemi pasur rrjedhje të të dhënave konfidenciale”, ka shtuar ajo.
Edhe drejtuesja e procesit të censusit, Elda Kapllani ka nënvizuar ndihmën e EUROSTAT për hartimin e pyetjeve për pyetësorin.
“INSTAT ka bashkëpunim të ngushtë me EUROSTAT, që jep ndihmë dhe asistencë. Ashtu si dhe për aktivitete të tjera që zhvillohen rregullisht nga INSTAT, të dhënat e censusit do të transmetohen në këtë zyrë statistikash, e cila gjatë gjithë kohës është pjesëmarrëse në procesin tonë”, ka thënë Kapllani.
Rëndësia e censusit për komunitetin rom
Pjesa e tretë e emisionit “Shqip” iu rezervua diskutimit mbi problematikën e komunitetit rom në Shqipëri dhe rëndësisë së censusit për këtë pjesë të shoqërisë shqiptare.
Drejtorja e Kërkimeve në HDCP, zonja Linda Rama, e ftuar në studio, nënvizoi rëndësinë e censusit. Sipas saj, komuniteti rom jeton në kushte jetese të pabërballueshme dhe censusi do të ndihmojë në hartimin e politikave në të ardhmen për këtë komunitet.
“Komunitetirom jeton në kushte jetese të pabërballueshme dhe është e rëndësishme që të dihen të gjitha aspektet që shoqërojnë jetën e përditëshme të komunitetit rom. Problemi qendron që nuk ka patur një fotografim të plotë për kushtet e këtij komunitetit, që nga arsimi, jetesa, shëndeti. Fotografimi situatës në këto kushte merr një rëndësi të vecantë. Analizat për komunitetin rom janë bërë mbi bazën e të dhënave jo të sakta dhe censusi është një mundësi që këto të dhëna të jenë të sakta”, tha zonja Rama.
Ndërkohë, përfaqësuesi përfaqësuesi i komunitetit rom, Latif Kazanxhi vlerësoi si tepër të rëndësishëm procesin e censusit për romët, por theksoi se ky proces bëhët i vështirë po të kihet parasysh niveli i ulët i arsimimit për anëtarët e këtij komuniteti.
Ndërsa përfaqësuesja tjetër në studio nga komuniteti rom, Ilva Bajrami, nënvizoi rëndësinë e regjistrimit, pasi sipas saj, ky proces do të ndihmojë në realizimin e politikave në ndihmë të komunitetit rom.
Top Channel