Kinë-Rusi bllokojnë rezolutën ndaj Sirisë

05/10/2011 09:10

Kina dhe Rusia vendosën veton kundër një rezolute që dënon Sirinë për shtypjen e dhunshme që i ka bërë protestave anti-qeveritare në vend, gjatë një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mëngjesin e sotëm.

Rezoluta e përpiluar nga vendet Europiane ishte përpunuar disa herë për të shmangur pikërisht veton, duke hequr pjesën e sanksioneve ndaj Damaskut. Megjithatë, Moska dhe Pekini argumentuan se dokumenti nuk përjashtonte mundësinë e një ndërhyrje ushtarake në të ardhmen.

Ambasadorja amerikan në OKB, Susan Rice, e cilësoi vendimin si “të turpshëm”, ndërsa theksoi se Uashingtoni është i “tronditur nga kjo votë kundër”. Ajo u largua nga salla pasi rusët dhe kinezët shpallën qëndrimin e tyre.

Veto e sotme përbën një goditje të madhe për shpresat amerikane dhe europiane për të dënuar regjimin sirian. Më shumë se 2 700 persona kanë mbetur të vrarë në përplasjet me forcat qeveritare, që prej shpërthimit të demonstratave kundër regjimit autoritar të Bashar al-Assad, në muajin mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA