Gjykata e qarkut në Prishtinë u ka zgjatur paraburgimin edhe për 2 muaj 4 ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për cështjen “Kleçka”.
Nexhmi dhe Naser Krasniqi, si dhe Naser e Sabit Shala do të jenë në paraburgim deri më 27 nëntor të këtij viti.
Tre të tjerëve, Behlul Limajt, Besim Shurdhajt e Arben Krasniqit do t’u vazhdohet për një periudhë të njëjtë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa Shaban Shala duhet të paraqitet në polici herë pas here për dy muaj.
Ata dyshohen për krime lufte të cilat prokuroria pretendon se janë kryer nga janari deri në qershorin e vitit 1999.
Lajmin e ka konfirmuar për Top Channel zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i cili nuk ka dhënë detaje të tjera.
Në këtë rast është i akuzuar edhe deputeti Fatmir Limaj, që gjatë luftës njihej me emrin komandant Çeliku.
Ditë më parë një gjykatës në Gjykatën e qarkut në Prishtinë i kishte dhënë masën e arrestit shtëpiak deputetit Limaj, vetëm pak kohë pasi Gjykata Kushtetuese deklaroi se deputetët nuk kanë imunitet për vepra të cilat dyshohet se i kanë kryer jashtë fushëveprimtarisë së tyre si deputetë.
Pala mbrojtëse e Limajt pret që brenda muajit tetor të fillojë procesi gjyqësor për cështjen “Kleçka”.
Ndaj kësaj mase reaguan deputetë të ndryshëm të Parlamentit të Kosovës, të cilët shprehën besimin tek pafajësia e tij, si dhe kryeministri Hashim Thaci, që kërkoi që cështja të mos politizohet.
Top Channel