Berisha: Greqia të mbahet në eurozonë

21/09/2011 20:40

Nga studiot e televizionit CNBC në Amerikë, kryeministri Sali Berisha ka komentuar impaktin e mundshëm që mund të sjellë kriza greke.

Fillimisht zoti Berisha i është përgjigjur pyetjes se si ai do t’i karakterizonte efektet e krizës greke në Shqipëri.

“Pa dyshim kriza greke edhe eurokriza nuk kanë një impakt pozitiv për vendin tim, pasi 1 milion shqiptarë punojnë në Greqi. Pavarësisht, unë do të siguroja se nuk kemi patur konseguenca të mëdha negative. Fillimisht, bankat greke në Shqipëri po shkojnë shumë mirë dhe janë serioze duke performuar mirë. Shqiptarët të cilët janë duke u kthyer nga Greqia në Shqipëri po vijnë me para me vete, duke hapur biznese të reja. Numri i bizneseve në vendin tim vitin e shkuar është rritur me 40%. Ne jemi duke ndjekur nga afër zhvillimet e kësaj krize në Greqi dhe afër nesh”, u shpreh Berisha.

Bob McKin, analist i CNBC, e ka pyetur kryeministrin Berisha pse shumica e bankave që operojnë në Shqipëri janë prej vëndeve europiane të cilat janë duke vlerësuar kapitalet e tyre të tkurrura.

Një situatë e tillë do t’i vendosë bankat shqiptare në vështirësi dhe a janë ato të gatshme për t’u përballuar me këtë situatë?

“Janë duke performuar mirë. Bankat mëma të tyre i kanë kërkuar të vazhdojnë aktivitetet e tyre pa ndonjë kufizim. Jam optimist se bankat që nuk i përkasin eurozonës po performojnë mirë në vëndin tim dhe janë duke u përballur me krizën duke mos u ndikuar shumë nga kriza”, u përgjigj Berisha.

Zoti Berisha është pyetur gjithashtu në lidhje me kthimin e emigrantëve shqiptarë nga Greqia dhe Italia.

“Po. Ata janë duke u kthyer në Shqipëri dhe deri më tani kanë shkaktuar një efekt pozitiv në dy aspekte. Shumë prej tyre janë duke sjellë invetime biznesesh të vogla, ndërsa të tjerët një ekspertizë të vyer. Shqipëria nuk ka arsye të shqetësohet për kthimin e emigrantëve. Ekonomia jonë vazhdon të rritet, ndërsa papunësia po zvogëlohet. Ne jemi optimistë se do të kemi mundësi të mira në përballje me krizën”, nënvizoi Berisha.

Gazetarja e CNBC ka kërkuar opinionin e kryeministrit Berisha nëse Greqia duhet të mbetet në Eurozonë.

“Problemi është më i madh se Greqia. Është problem europian. Duke mbajtur Greqinë në eurozonë evitohet efekti domino. Pavarësisht se euro është duke u përballur me vështirësi, unë besoj se kjo është një prej arritjeve më të mëdha në historinë e Europës”, deklaroi Berisha.

Më herët gjatë ditës kryeministri Berisha mbylli tregun elektronik të aksioneve në Nasdaq, bursa e dytë më e rëndësishme e aksioneve në Shtetet e Bashkuara. Ky ishte një rast shumë i mirë për kryeministrin për të reklamuar në televizionet ekonomike amerikane, që transmtojnë drejtpërsëdrejti mbylljen e bursave ndërkombëtare, modelin ekonomik shqiptar. 

Top Channel